Në Maqedoninë e Veriut ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të domosdoshme
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, thonë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do e rrisë cilësinë, por edhe përgjegjësinë e politikanëve.
Ndërkohë që partitë politike pritet të harmonizojnë qëndrimet rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhorë, ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, në një takim me gazetarët ka theksuar se listat e hapura në zgjedhjet lokale do të paraqesin test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke bërë të ditur se gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale të cilat duhet të mbahen gjatë vitit të ardhshëm, pritet që të miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor duke përfshi këtu zgjedhjen e këshilltarëve sipas modelit të listave të hapura.
Partitë politike edhe pse janë shprehur pro kësaj ideje, kanë theksuar shumë vërejtje që kanë të bëjnë me qartësinë se çka në fakt duhet të përfshijnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Nga VMRO-DPMNE-ja kanë kërkuar që shumica parlamentare të tregojë qartë “se çfarë saktësisht synon të ndryshohet në Kodin Zgjedhor”.
Nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se më shumë detaje do të japin pasi të kenë në duar propozimin e dikasterit të drejtësisë, megjithëse në parim thonë se janë pro hapjes së listave zgjedhore në mënyrë që votuesit në formë të drejtpërdrejtë të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Përderisa opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, thonë se as pushteti e as opozita maqedonase, nuk janë të interesuara që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Njohësit e çështjeve politike thonë se listat e hapura do të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e politikanëve për sa i përket veprimeve të tyre.
“Listat e hapura si e para i pamundësojnë lidershipit për të vendosur për zgjedhjen e të afërmeve të tyre, personave të dëgjueshëm, që mbështesin politikat e kreut të partisë. Vendosja e listave të hapura hap një mundësi që të mos kalojnë në këshillat komunal apo parlament disa njerëz pa meritë profesionale. Mendoj se ky hap për zgjedhjen e këshilltarëve fillimisht dhe më pas deputetëve, krijon një mundësi për pastrimin e skenës politike, thënë kushtimisht nga politikanët kukulla që i kemi si përfaqësues, qoftë në pushtetin vendor apo atë qendror e që nuk janë pak në numër”, thekson për REL, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike.
Nga ana tjetër, Nikolla Dujovski, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Shkup, vlerëson se përmes listave të hapura krijohet mundësi që qytetarët të zgjedhin ata që mendojnë se më denjësisht do ti përfaqësojë interesat e tyre dhe jo për ata që vendos partia apo lideri i partisë.
“Listat e hapura, veçanërisht tani që pritet të zgjidhen vitin e ardhshëm këshilltarët në pushtetin lokal, paraqesin mundësi të mirë që qytetarët të zgjedhin përfaqësues të përgatitur profesionalisht, pra persona që i njohin për sa i përket aftësive të tyre profesionale me këtë dhe kapacitet për të zgjidhur problemet me të cilat ata ballafaqohen në komuna të caktuara. Nuk mendoj se listat e hapura dobësojnë fuqinë e liderit, sepse sa më kualitativ të jenë të zgjedhurit e një partie të caktuar aq më e fuqishme bëhet dhe ajo parti”, thotë Dujovski.
Ndryshe, para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dy deputetë kishin ngritur iniciativën për ndryshime në Kodin Zgjedhor, por për shkak të përplasjeve mes subjekteve politike të cilat nuk arritën ujdi për sa i përket kësaj çështjeje, ndryshimet e Kodit Zgjedhorë për sa i përket hapjes së listave zgjedhore nuk arritën të miratohen.