Site icon PORTALB

Nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë konsumojmë

Nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë konsumojmë

Nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë konsumojmë

Ushqimi i keq sjell pasoja në shëndetin e njerëzve prandaj duhet të kihet shumë kujdes çfarë zgjedhim të konsumojmë sot kur kemi qasje thuajse të palimituar ndaj produkteve të lloj-llojshme ushqimore.

Në numrin më të madh të produkteve shkruhet se janë 100% natyrale dhe pa ekstrakte, mirëpo ashtu nuk mendojnë ekspertët dhe mjekët.  Në fakt, mjekët thonë se ushqimet përveç asaj që disa produkte ushqimore nuk janë natyrale, ato edhe janë të dëmshme për njeriun, e sidomos për fëmijët.

Për Portalb, Dr. Sedat Lumani tregoi se cili është ushqimi që është i dëmshëm për organizmin dhe se cilat janë pasojat e konsumit të tij.

“Ka ushqime natyrale mirëpo që janë të modifikuara me hormone, sidomos ushqimet shtazore, po pse jo edhe ato bimore. Perimet në përgjithësi kanë hormone dhe preparate të ndryshme të cilat janë shumë toksike për organizmin. Dihet se për eksportin e ushqimeve të vendit tonë, në shumë tregje nuk mund të depërtojnë produktet e vendit për shkak të standardit të ulur, apo mungesës së standardit të cilin e parasheh organizata botërore e shëndetësisë, sidomos për nga aspekti i kontaminimit si dhe i begatisë, ose përbërjes të hormoneve të ndryshme ose mjeteve të cilat modifikohen që të arrihet prodhim i lartë, të cilat në shumicën e rasteve janë të dëmshme dhe të rrezikshme për organizmin dhe shëndetin e njeriut”, tha Lumani.

Ai po ashtu tha se sa i përket nga aspekti kronologjik, në përgjithësi fëmijët sot nëse i krahasojmë me ata para disa dekadave, vërejmë një rritje jo normale, që nuk është tipike për popujt e Ballkanit. Tani procesi i rritjes tek fëmijët është më i shpejtë, dhe këtu dallohet efekti i ushqimeve të modifikuara.

Për të shpjeguar më mirë çështjen e konsumit të ushqimit të shëndoshë, për Portalb foli E. Bilal nga Herbalife Maqedoni, i cili tha se produktet ushqimore nuk janë dietike dhe nëse nuk i kushtohet vëmendje ushqimit, do të vijon mbipesha dhe problemet tjera trupore.

“Ushqim i shëndoshë nënkupton, konsumimin e sasive të balancuara të proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave dhe mineraleve e sidomos të atyre natyrale e jo të prodhuara artificialisht. Ajo që nënkuptohet me konsum të ushqimit të shëndoshë është konsumi i sasive më të mëdha të proteinave dhe karbohidrateve ndërsa më pak yndyra, gjë që në shumicën e produkteve ushqimore në vend ndodh e kundërta. Po ashtu gjatë të ushqyerit është e rëndësishme sasia e vitaminave dhe mineraleve të pranuara, të cilat janë të pranishme tek pemët e freskëta dhe perimet”, tha Bilal.

Ai shtoi se me ushqim të shëndetshëm dhe me aktivitet të rregullt fizik, mbrohet shëndeti në shumë aspekte dhe nga shumë faktorë, ndërsa largohet mbipesha trupore e padëshiruar e cila është faktor dhe shkaktar i sëmundjeve të ndryshme./Portalb

Exit mobile version