Site icon PORTALB

RMV, Nxënësit do të heqin maskat nga fytyrë vetëm kur hanë; do të presin në radhë për në tualet, nuk do të ketë mbledhje të prindërve

Shkolle

Personeli i shkollës dhe nxënësit pas hyrjes në shkollë dhe gjatë qëndrimit në shkollë duhet të zbatojnë masën për distancën fizike prej të paktën 1.5 metrash dhe të mbajnë maskë mbrojtëse / mbulesë për fytyrën, përveç kur ndodhen jashtë në oborrin e shkollës duke ruajtur distancën e rekomanduar. Kur hyjnë në shkollë, punonjësit duhet të dezinfektojnë këpucët dhe duart. Të gjithë punonjësve iu matet temperatura e trupit para se të hyjnë në shkollë dhe në rast se kanë temperaturë të lartë (mbi 37 °) punonjësi duhet të kontaktojë mjekun amë.

“Prindi / kujdestari e ka për detyrë, çdo ditë para se të niset për në shkollë, t’ia matë temperaturën e trupit të fëmijës, dhe në rast se ka rritje të temperaturës së trupit (mbi 37 °) fëmijën nuk duhet ta sjellin në shkollë, por të kontaktojnë në telefon kujdestarit / mësimdhënësit të klasës. “Fëmijët me shenja të sëmundjeve të tjera infektive gjithashtu nuk guxojnë të vijnë në shkollë”, thuhet në protokoll.

Mësimi në klasë do të realizohet me maksimum 20 nxënës në klasë duke siguruar distancë fizike prej 1.5 metrash ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve dhe nxënësve. Dita e parë e mësimit fillon me udhëzime për nxënësit për atë si duhet të sillen dhe në mënyrë rregullt dhe të sigurt, të ruajnë distancën fizike, higjienën e duarve dhe mbrojtjen e shëndetit të tyre, por edhe shëndetin e nxënësve të tjerë dhe stafit të shkollës.

Cilat janë rregullat e tjera që duhet të ndiqen në shkollë?

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 26 gusht në seancën e 82-të miratoi Protokollin për zhvillimin e mësimit me prani fizike në shkollat fillore dhe të mesme. Gjithashtu Qeveria propozoi që viti i ri shkollor 2020/21 të fillojë nga 1 tetori.

“Qeveria e RMV-së në seancën e sotme të 82-të e miratoi Protokollin për funksionimin e shkollave fillore në Republikën e Maqedonisë Veriore për realizimin e procesit edukativo-arsimor me prezencë fizike të nxënësve në vitin shkollor 2020/2021 dhe Protokollin për funksionimin e shkollave të mesme në RMV për realizimin e procesit edukativo-arsimor me prezencë fizike të nxënësve në vitin shkollor 2020/2021”, raportojnë nga Qeveria.

Ligji për arsimin fillor, neni 50 sqaron se “Viti shkollor në shkollë fillore, sipas rregullit, fillon më 1 shtator, ndërsa përfundon më 31 gusht vitin e ardhshëm”. Pikërisht ky Ligj në lidhje me kohëzgjatjen e orës mësimore, në nenin 51 shkruan: “Ora mësimore zgjat 40 minuta”. Ndryshimet ligjore duhet të votohen në Kuvend.

Ndërkohë, protesta kundër mësimit tërësisht nga distanca është shtyrë për më datë 31 gusht 2020 (e hënë) për shkak të festës së madhe ortodokse të Shën Mërisë, njoftojnë nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme (UNSHM).

Exit mobile version