Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, transmeton REL.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se po studiohen përvojat e vendeve të tjera.
Sipas tij, po ashtu janë duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional.
Megjithatë, Hoti tha se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike.
“Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet. Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim, për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor”, ka shkruar Hoti.
Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka një propozim-plan se si do të fillojë të realizohet vitit shkollor 2020/2021 nga 1 shtatori. Ai duhet të finalizohet javën e ardhshme, të kalojë në një seancë qeveritare dhe të publikohet para opinionit. Plani përmban protokolle për të gjitha modelet mësimore – prani në banka në distancë dhe me maska mbrojtëse, onlajn-mësim përmes e-platformave elektronike dhe mësim të kombinuar me rotacione të nxënësve për një periudhë të caktuar.