Site icon PORTALB

Protestat në Liban detyrojnë ministren e Informacionit të japë dorëheqjen

Protesta në Bejrut

Ministrja libaneze e Informacionit, Manal Abdel Samad deklaroi të dielën dorëheqjen pas protestave të dhunshme që nisën në vend si rrjedhojë e shpërthimit që la mbi 150 të vdekur në Bejrut më 4 gusht, transmeton EN.

“Pas fatkeqësisë së madhe në Bejrut, paraqes dorëheqjen time nga qeveria,” – tha Samad në një dalje të shkurtër për mediat, – “U kërkoj ndjesë libanezëve, nuk mundëm t’i arrinim pritshmëritë e tyre”.

Dorëheqja e Samad vjen pasi protesta të shumta kundër qeverisë së Hassan Diab u përshkallëzuan me sulme ndaj godinave të ministrive, përfshirë këtu edhe ministrisë së jashtme.

Ministria e Informacionit është përgjegjëse për shërbimin e informacioneve rreth qeverisjes së kabinetit qeveritar, e hapur fillimisht në vitin 2000, më pare kjo ministri qe mbyllur në vitin 2018, por u rikthye nga qeveria e Diab.

Përballë protestave të dhunshme të shtunën, policia u mundua t’i shpërndante grupet e njerëzve duke përdorur gaz lotsjellës. Raportime nga Libani kanë bërë me dije se të paktën një oficer policie ka humbur jetën si pasojë e përleshjes me protestuesit.

Kryeministri Diab, i cili mori drejtimin e vendit vetëm në janar të këtij viti, ka bërë me dije se do të propozojë zgjedhje të parakohshme duke ftuar të gjitha partitë të lënë mënjanë ndasitë dhe keqkuptimet.

Protestuesit fajësojnë qeverinë për neglizhencë dhe korrupsion në rastin e shpërthimit që vrau mbi 150 veta dhe plagosi mijëra të tjerë këtë javë.

Zyrtarisht është thënë se shpërthimi që ndodhi në portin e Bejrutit hodhi në erë 2,750 tonë nitrat amoni që ishte magazinuar në depot e portit.

Shpërthimi ndodhi në një nga situatat më të vështira ekonomike që po kalonte Libani. Monedha libaneze ka humbur 80 për qind të vlerës kundrejt dollarit amerikan.

Përballë situatës së rëndë ekonomike libanezët nisën protestat kundër qeverisë vitin e shkuar duke përcjellë akuza të shumta për së paku një dhjetëvjeçar abuzime me pushtetin.

Libani ka qenë në negociata me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të mundësuar një paketë ekonomike shpëtimi.

Udhëheqës botërorë, përfshirë këtu presidentët e SHBA-ve Donald Trump dhe Francës, Emmanuel Macron, janë zotuar të marrin pjesë në një konferencë të thirrur të dielën e cila synon mbledhjen e fondeve për Libanin. Kina, Rusia dhe Egjipti janë pritur gjithashtu të marrin pjesë, ndërsa ditët e fundit një peticion online me së paku 50 mijë nënshkrues u nis nga libanezët të cilët kërkuan që Franca të marrë në drejtim vendin.

Exit mobile version