Ditëve të fundit, mund të lexohen interpretime dhe qëndrime të ndryshme rreth çështjes së kur konstituohet Parlamenti, ose më saktë, se në cilin moment kohor konsiderohet se Parlamenti është i konstituar. Ajo që bën përshtypje, janë qëndrimet e disa politikanëve, që theksojnë se me vetë verifikimin e mandateve të 120 deputetëve që u bë më 4 Gusht në seancën e parë, u konstitua edhe Parlamenti, anipse një gjë e tillë nuk shkruan as në Kushtetutën e RMV-së dhe as në Rregulloren e punës së Parlamentit, dhe paraqet një shembull tipik se si përmes interpretimit krijohen norma joekzistuese kushtetuese.
Kjo çështje është e ndërlidhur edhe me afatin kushtetues 10 ditor brenda të cilit Kryetari i Republikës nga dita e konstituimit të Parlamentit është i detyruar që tʼia besojë mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit të partisë ose të partive që kanë shumicën në Parlament.
Sipas interpretimit të saktë kushtetues, momenti kohor se kur konsiderohet se është konstituar Parlamenti është pikërisht momenti i zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, dhe prej atij momenti fillon të rrjedhë afati 10 ditor kushtetues për besimin e mandatit për formimin e Qeverisë nga Kryetari i Republikës; ose thënë ndryshe: Parlamenti konstituohet në atë moment kur zgjidhet Kryetari i Parlamentit, i cili zyrtarisht me shkresë e njofton Kryetarin e Republikës për këtë zgjedhje gjë që juridikisht dhe praktikisht domethënë njoftim i tij për formimin e shumicës së re parlamentare në Parlament.
Edhe Rregullorja e punës së Parlamentit, konstituimin e Parlamentit më konkretisht e rregullon në kapitullin e dytë (nenet 9-28) si një tërësi procedurale e cila përbëhet prej 3 fazave, edhe atë: e para, seanca e parë konstituive dhe verifikimi i mandatit të deputetëve; e dyta, zgjedhja e komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe të emërimeve dhe e treta, zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit. Siç shihet, verifikimi i mandatit të deputetëve është vetëm faza e parë e konstituimit të Parlamentit e cila u konsumua më 4 Gusht; mirëpo për konstituimin e Parlamentit duhet konsumuar edhe faza e dytë dhe sidomos, e treta, sepse me zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit përfundon seanca konstitutive dhe në atë moment konstituohet edhe Parlamenti.
Pra, nga 4 gushti Maqedonia e Veriut i ka 120 deputetë të konstituar sepse mandati i tyre u verifikua (u vërtetua) atë ditë; mirëpo ende nuk ka Parlament të konstituar sepse nuk ka Kryetar, andaj Parlamenti i Maqedonisë së Veriut për momentin është jofunksional sepse atë e vë në funksion vetëm Kryetari i tij kështu që Parlamenti pa Kryetarin e vet nuk mund të vendos për asnjë çështje për të cilën ka kompetencë kushtetuese dhe ligjore për të vendosur, përfshi këtu sidomos zgjedhjen e Qeverisë.
Do të ishte shumë interesante por më shumë absurde nëse, Kryetari i Republikës nën ngutje të vepronte sipas interpretimit se nga 4 gushti ka filluar të rrjedhë afati kushtetues 10 ditor për besimin e mandatit për formimin e Qeverisë sepse Rregullorja e punës së Parlamentit te pjesa për zgjedhjen e Qeverisë, në dispozitën e nenit 110 përcakton se, Kryetari i Parlamentit (që nuk ekziston!!!), në afat prej 3 ditëve nga dita e pranimit të njoftimit nga Kryetari i Republikës i njofton deputetët për kandidatin për Kryetar të Qeverisë (mandatarin).
Për fund, si shembull konkret se sa kushtetutëvënësi i Maqedonisë së Veriut është tepër larg rrjedhave evropiane, mjafton njëra nga kushtetutat e shteteve të rajonit që janë në BE, ku si shembull shkollor se në cilin moment kohor konstituohet Parlamenti është Kushtetuta e Kroacisë e cila në dispozitën e nenit 73 paragrafi 3 thekson se: “Parlamenti kroat konstituohet me zgjedhjen e Kryetarit të tij në seancën e parë ku merr pjesë shumica e deputetëve”.
(Autori është Profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative -Fakulteti Juridik-UEJL)