Polonia përgatitet të tërhiqet nga Konventa e Stambollit

Ministri i Drejtësisë i Polonisë deklaroi se vendi do të fillojë përpjekjet për t’u tërhequr nga një traktat evropian për luftën kundër dhunës ndaj grave për shkak të “natyrës së tij ideologjike”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, tha se ligjet e Polonisë plotësojnë të gjitha standardet e Konventës së Stambollit për mbrojtjen e grave kundër dhunës dhe garantimit të sigurisë së viktimave të dhunës në familje dhe shtoi se Ministria e Drejtësisë do t’i bëjë një sugjerim Ministrisë së Familjës, Punës dhe Politikave Sociale të hënën që të tërhiqet nga marrëveshja.

Duke argumentuar se konventa ka “natyrë ideologjike”, Ziobro tha se përpiqet të ndërtojë një “gjini socio-kulturore kundër gjinisë biologjike”, e cila, siç tha ai, është “e papranueshme dhe e dëmshme” për Poloninë.

Ai tha se disa artikuj të konventës parashohin arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve rreth formimit të familjeve homoseksuale dhe se ata janë kundër tij.

“Kjo është një qasje e mbështetur kryesisht nga mjedisi i majtë dhe homoseksual”, tha ai, duke shtuar se përmes konvetës janë duke u përpjekur të gjejnë një bazë gjyqësore për qasjen e tyre.

Ai tha se ka njerëz që pretendojnë se kundërshtimi i Konventës së Stambollit gjithashtu do të thotë të jesh kundër mbrojtjes së viktimave, të cilën ai e quajti “një gënjeshtër e çiltër”.

Marlena Malag, ministrja e Familjes, Punës dhe Politikës Sociale e vendit, njoftoi javën e kaluar se Polonia po përgatitej të tërhiqej nga traktati, ndërsa mbështetësit e konventës mbajtën protesta, duke reaguar ndaj njoftimit.

Turqia ishte vendi i parë që ratifikoi konventën e Këshillit të Evropës të miratuar në vitin 2011 në Stamboll, ndërsa Polonia e ratifikoi atë në vitin 2015.

Si instrumenti i parë ndërkombëtar që vendos standarde gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, për të mbrojtur viktimat dhe për të ndëshkuar autorët, ajo e karakterizon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe formë të diskriminimit.

Edhe pse BE-ja dhe vendet anëtare të saj kanë nënshkruar traktatin, disa prej tyre, përfshirë Bullgarinë, Çekinë, Hungarinë, Lituaninë, Letoninë dhe Sllovakinë, ende nuk e kanë ratifikuar dokumentin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button