Site icon PORTALB

Seancë konstituive të Kuvendit më së voni për 20 ditë, duhet ta konvokojë Xhaferi

Kuvend, amendamente, dokumente, ankesa, parlament, parti, seance kuvendore

Kuvend, foto arkiv

Më së voni 20 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve duhet të mbahet seancë konstituive e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa seancën e konvokon kryetari i përbërjes së mëparshme, në këtë rast Talat Xhaferi, shkruan Mia.mk.

Kuvendin do ta përbëjnë 120 deputetë, të cilët i përfaqësojnë qytetarët dhe vendosin sipas bindjes së tyre.

Sipas Kushtetutës, deputetët në Kuvend zgjedhen për katër vjet. Mandatin e deputetëve e verifikon Kuvendi dhe fillon që nga seanca konstituive e Kuvendit. Kuvendi i porsazgjedhur takohet në seancë konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Seancën konstituive e konvokon kryetari i Kuvendit nga përbërja e mëparshme.

Në nenin 63 të Kushtetutës është paraparë, nëse nuk caktohet seancë konstituive në afatin e paraparë, deputetët vetë mblidhen dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21-të të përfundimit të zgjedhjeve.

Në Kushtetutë është paraparë që presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për përbërjen e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, gjegjësisht partitë që kanë shumicën në Parlament.

Mandatari në afat prej 20 ditëve pasi i jepet  mandati, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.

Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Exit mobile version