Erdogan: Nuk do ta harrojmë gjenocidin e Srebrenicës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Do të ndjekim krimet dhe masakrat e kryera kundër vëllezërve tanë boshnjakë dhe nuk do t’i lëmë kurrë vetëm”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, presidenti Erdoğan dërgoi një video-mesazh për ceremoninë përkujtimore të mbajtur në ish-fabrikën e akumulatorëve e cila u përdor si bazë nga ushtarët e OKB-së në luftën në Bosnjë e Hercegovinë.

Në mesazhin e tij duke përshëndetur qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës dhe të gjithë të ftuarit, Erdoğan tha se sot ndodhen së bashku për të ndarë dhimbjen e boshnjakëve dhe për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës i cili është një prej faqeve të dhimbshme dhe turpit në histori.

Erdoğan theksoi se me mendje dhe zemër ndodhet gjithnjë në Bosnjë, pavarësisht se nuk është fizikisht në mesin e tyre për shkak të koronavirusit (COVID-19). Ai përkujtoi me nderim dëshmorët e rënë që janë masakruar në mënyrë të ulët para 25 viteve dhe shprehu ngushëllimet për familjet e pikëlluara.

Ai rikujtoi se trupat e dëshmorëve janë gjetur vitin e kaluar dhe janë përcjellë nga Sarajeva për në Srebrenicë dhe se ata dëshmojnë qëndrimet dinjitoze të familjarëve pavarësisht dhimbjeve që kanë në zemër.

“Dhimbja jonë ende është e freskët edhe pse ka kaluar një çerek shekulli. Zemrat tona rënkojnë sërish me çdo varr masiv që zbulohet. Gratë ende jetojnë me shpresën për të gjetur burrat e tyre ndërsa fëmijët për të gjetur nënat dhe etërit e tyre. Pavarësisht kohës që ka kaluar ka ende nëna që presin fëmijët e tyre. Kemi 25 vite që kërkojmë të dashurit tonë. Allahu për dëshmorët na thotë ‘Mos thoni të vdekur për ata që janë vrarë në rrugën e Allahut sepse ata janë të gjallë por ju nuk e dini‘. Edhe ne besojmë se dëshmorët janë gjithmonë mes nesh, janë të gjallë”, tha Erdoğan duke shtuar:

“I ndjeri Alija Izetbegoviç ka thënë ‘Mos harroni kurrë gjenocidin sepse gjenocidi i harruar përsëritet sërish‘. Nuk do të harrojmë dëshmorët tanë dhe nuk do të lejojmë që gjenocidi i Srebrenicës të harrohet. Do të ndjekim krimet dhe masakrat e kryera kundër vëllezërve tanë boshnjakë dhe nuk do t’i lëmë kurrë vetëm në kërkimin për të drejtën dhe drejtësi”.

“Sulmet e përjetuara kohët e fundit në vendet perëndimore tregojnë se duhet të tregohet vigjilencë në këtë çështje”, tha presidenti Erdoğan.

“Pavarësisht të gjithë dramës, masakrës dhe lotëve, politikanët evropianë nuk kanë marrë asnjë mësim nga masakra e Srebrenicës. Janë një burim i madh shqetësimi për të ardhmen tonë që ende përdoren lirshëm fjalët që nxisin armiqësi ndaj islamit dhe ksenofobisë. Krahas organizatave ndërkombëtare edhe mbi ne ka përgjegjësi të rëndësishme që dhimbje të ngjashme të mos përsëriten më. Ne jemi përfaqësues të një qytetërimi që për shekuj ka dhënë shembuj të bukur të tolerancës dhe paqes”, tha Erdoğan.

Ai tha se “Ne nuk lejojmë që pikëpamjet ndryshe, dallimet etnike, kulturore dhe sektare të na ndajnë dhe të na armiqësojnë me njëri tjetrin. Ne duhet të vazhdojmë luftën tonë si ruajtës të drejtësisë me vetëbesimin se ‘jemi të fuqishëm nëse kemi të drejtë‘. Uroj që krijuesi ynë të na ndihmojë. Duke përfunduar fjalën time me këto mendime dua të nënvizoj sërish se Turqia dhe populli turk është bashkë me Bosnjë e Hercegovinën. Uroj që mëshira e Allahut të jetë mbi dëshmorët tanë të Srebrenicës dhe gjithashtu i uroj durim familjeve dhe të gjithë atyre që e ndiejnë këtë dhimbje në zemrat e tyre”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button