Site icon PORTALB

Në Turqi ka nisur procesi gjyqësor për rastin Khashoggi

Xhemal Kashogi

Xhemal Kashogi

Të premten një gjykatë turke hapi gjyqin ndaj 20 zyrtarëve sauditë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, një kritik i shquar i udhëheqjes Saudite.

Ai shkruante për gazetën amerikane Washington Post. Në shkrimet e tij Khashoggi ishte shumë kritik ndaj sundimtarit de fakto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës, Mohamed bin Salman.

Khashoggi, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll në muajin tetor të vitit 2018.

Zyrtarët sauditë kishin thënë se vdekja e tij ishte rezultat i një “operacioni mashtrues” dhe nuk ishte urdhëruar nga shteti, njofton REL.

Në aktakuzën e prokurorëve të Stambollit, janë të përfshirë edhe ish-nënkryetari i inteligjencës së përgjithshme të Arabisë Saudite, Ahmed al-Asiri dhe ish këshilltari i gjykatës mbretërore, Saud al-Qahtani, për nxitjen e “vrasjes me paramendim me qëllim monstruoz”.

Të 20 të pandehurit pritet të gjykohen në mungesë.

Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë në konsullatë për të rregulluar dokumente për dasmën e tij.

Zyrtarët turq thanë se ai u vra brenda konsullatës dhe trupi i tij ishte shpërbërë. Eshtrat e tij nuk janë gjetur.

“Shpresoj që kjo çështje penale në Turqi të nxjerrë në dritë vendndodhjen e mbetjeve mortore të Jamal Khashoggit dhe provat kundër vrasësve”, tha e fejuara i tij, Hatice Cengiz.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se ata mendojnë se Princi i Kurorës urdhëroi vrasjen e Khashoggit – një pretendim që zyrtarët sauditë e mohojnë.

Departamenti amerikan i Shtetit në prill të vitit 2019 emëroi 16 persona për rolin e tyre në vdekjen e Khashoggi, të cilëve iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetor një gjykatë saudite dënoi pesë persona me vdekje, dhe tre me burg për vrasjen e Khashoggit, përmes një procesi gjyqësor që u zhvillua me dyer të mbyllura.

Familja e Khashoggit më vonë tha se ata i kanë falur vrasësit e tij.

Exit mobile version