Këshillit shtetëror për parandalim të delikuencës së fëmijëve nëpërmjet një komunikate ka reaguar ndaj përfshirjes së fëmijëve në fushata politike. Nga ky këshill kanë thënë se përfshirja e fëmijëve (persona deri në 18 vjeç) në çfarëdo aktivitete lidhur me fushatën politike është e palejueshme dhe nuk është në interes të fëmijëve, në pajtueshmëri me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, transmeton Portalb.mk.
“Kujdesi për fëmijët duhet të realizohet përmes sigurimit të kushteve ligjore dhe institucionale për rritjen e tyre, zhvillimin dhe edukimin në mënyrë të duhur dhe kujdes për eliminimin e burimeve të rreziqeve. Gjithçka tjetër paraqet keqpërdorim të tyre dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve”, thuhet në reagim.
Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Ambasada e Parë për Fëmijë në botë Megjashi, prej ku kanë thënë se keqpërdorimi dhe manipulimi i fëmijëve dhe gjërave në lidhje me fëmijët ditëve të fundit është gjithnjë e më i madh. Nga Megjashi kanë thënë se, nga fillimi i fushatës, kanë pranuar katër denoncime dhe informata për shkelje të të drejtave të fëmijëve apo manipulim me fëmijë. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për porositë që u dërgohen fëmijëve përmes mënyrës së udhëheqjes së fushatave politike dhe spoteve politike.