Brukseli kërkon institucione stabile për të futur Maqedoninë e Veriut në familjen e vetë
Për aderim në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut e ka për detyrë të përpilojë “strategji parahyrëse” e cila do të mundësonte suksesin e reformave. Kjo strategji, mes tjerash, përshin kriteret politike të cilat në thelb kanë stabilitetin e institucioneve që do të garantojnë demokraci, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, shkruan Portalb.mk. Në prag të raportit të ri të Komisionit Evropian, sa i ka plotësuar RMV këto kritere?
Profesori universitar, Bashkim Selmani, për Portalb.mk thotë se liria, siguria dhe drejtësia janë komponentet bazë që implementojnë institucionet e shteteve evropiane, ndërsa shtetet pretendete duhet detyrimisht t’i plotësojnë këto kritere.
“BE-ja identifikon institucionet funksionale me lirinë, sigurinë dhe drejtësinë, këto elemente janë komponetet bazë që implemntojnë institucionet e një shteti që insiston aderimin në BE. Fatkeqësisht, këto tri elemente të shtetit dhe së drejtës i mungojnë RMV-së. Barometër bazë i kritereve politike është funksioni institucional dhe RMV-ja i ka këto pengesa serioze siç janë:
E para, korrupsioni institucional. E dyta, nepotizmi partiak dhe ai familjar e gurpor. E treta, institucione me borxhe të larta. Këto janë indikatorët bazë të gjendjes faktike institucionale që nuk lejojnë stabilitetin e institucioneve nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nuk garantojnë demokraci funksionale, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, tha për Portalb.mk, Selmani.
Ai shton se paaftësia institucionale pengon dhe do të vështirësojë akoma më shumë integrimin në fushën e drejtësisë dhe punët e brendshme.
“Krimi dhe kriminaliteti institucional në RMV, viktimizoi vetë Prokuroren speciale që nënkupton se ajo që pritej që dikujt t’i japë mbrojtje dhe qasje në drejtësi kudo në RMV, ajo prangosi vetëveten dhe shpresat e qytetarëve. Mund të konkludojmë se Maqedonia e Veriut pa një strukturë profesionale dhe ndihmë nga BE-ja, nuk mund të përballet me krimin dhe t’i vë në funksion institucionet demokratike”, tha Selmani.
Sipas Xhabir Derallës, nga shoqata “Civil”, vullneti politik për ndërmarrjen e reformave është kryesor për aderim të suksesshëm.
“Institucionet në RMV, nuk mund të lëvdohen me profesionalizmin, megjithatë, mund të njoftojnë një ndryshim drastik mes situates së institucioneve nga zgjedhet e vitit 2016. Institucionet ishin nën kthetrat e një regjimi të ashtuquatur Gruevski. Atë që mund ta theksojmë në këtë periudhë është se duhet vullnet politik për ndryshim dhe reforma serioze të institucioneve. Me këtë do të ecin në përputhje me kriteret për reforma nga ana e Bashkimit Evropian. Ajo që në vendin tonë është kyçe është fakti se në themelimin e qeverisë teknike vendi ndoqi modelin e Përzhinos, si model qeverisës i siguruar me mbështeje të BE-së”, tha për Portalb.mk, Xhabir Deralla, kryetar i shoqatës “Civil”.
Ai mendon se institucionet e RMV-së, do të duhet të ndjekin modelet evropiane për të qenë pjesë e saj dhe kjo varet nga vullneti politik për reforma, për zbatimin e kritereve evropiane, që të kemi institucione stabile, në përputhje me standardet evropiane.
- LEXO: Ethe për Maqedoninë e Veriut, për negociatat me Komisionin Evropian
- LEXO: Reformat në gjyqësor, pak përmbushin kriteret e BE-së, faji është i gjyqtarëve dhe pushtetit ekzekutiv
- LEXO: Dimova: Injoranca është bllokuesi më i madh i agjendës evropiane të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Varhejli: Kornizat negociuese për Shkupin dhe Tiranën gati këtë javë