Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka emëruar Ylldiry Bayram zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të udhëhequr nga Agim Veliu i LDK-së. Emërimin e tij e ka konfirmuar edhe Partia Demokratike Turke (KDTP) përmes një njoftimi në faqen e partisë në ‘Facebook’.
Bayram është punëtor i Doganës së Kosovës. Ai me 27 dhjetor të vitit 2018 ishte suspenduar në Doganën e Kosovës, pasi ndaj tij kishte filluar procedura penale nga ana e policisë për veprën ‘”Kanosje dhe ngasje nën ndikim të alkoolit”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se, zyrtari Ylldiry Bayram është i suspenduar me vendimin e datës 27.12.2018 pasi qe ndaj zyrtarit ka filluar procedura penale nga Policia e Kosovës, për veprën penale “Kanosje dhe ngasje nën ndikim te alkoolit”, thuhet në përgjigjen e Adriatik Stavileci për KALLXO.com
Tutje, Stavileci ka bërë të ditur se Bayram më 6 nëntor 2019 ishte edhe degraduar nga pozita që e mbante në Doganë.
“Ndërsa lidhur me shkeljen e Kodit të Kodit të Mirësjelljes, ndaj zyrtarit në fjalë ka shqiptuar masën disiplinore degradim nga pozita OD 2 , në pozitën OD1 duke përfshirë edhe transferim në një pozitë tjetër dhe pa të drejtë ri-konkurrimi për avancim në kohëzgjatje prej dy viteve”, thuhet në përgjigjen e Stavilecit.
Po ashtu, Dogana e ka konfirmuar se Bayram ka kërkuar për Pezullimin e përkohshëm të të drejtave dhe detyrave të punës, pasi që është emëruar zv/ministër.
“Me datë 19.06.2020 zyrtari Yldiray Bayram ka bërë kërkesë për Pezullimin e përkohshëm të të drejtave dhe detyrave nga marrëdhënia së punës, me rastin e emërimit si Zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme, kërkesë kjo e cila nuk është shqyrtuar ende nga Drejtori i Përgjithshëm”, thuhet në fund të përgjigjes së Adriatik Stavilecit nga Dogana e Kosovës.