Komuna e Gazi Babës sot njoftoi se përveç kryetarit, edhe një e punësuar në administratën e komunës ka njoftuar se ka marrë përgjigje pozitive në testin për praninë e virusit korona, transmeton Portalb.mk.
“Gjithashtu dje morëm njoftim nga një e punësuar në komunë se testi I saj për Kovid-19 është pozitiv”, njoftojnë nga Komuna, duke sqaruar se gjendja e saj është stabile dhe pa simptoma.
Megjithatë, komuna sqaroi se shërbimet administrative në komunë do të vazhdojnë pa pengesë.
“Administrata e komunës është në gatishmëri të plotë të qytetarëve të Gazi Babës. Duke respektuar plotësisht gjithë rekomandimet dhe masat që kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit të punonjësve dhe qytetarëve, njëkohësisht vazhdojmë me punë me plotësimin e rregullt të kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve dhe personave juridik”, raportojnë nga Komuna e Gazi Babës.
Kryetari i Komunës që rezultoi pozitiv, gjendet në Klinikën Infektive, pasi paraprakisht ishte i sëmurë nga veshkat.
Ndryshe, kryetari i komunës së Gazi Babës, Borçe Georgievski sot ka rezultuar pozitiv në testimin për praninë e virusit korona.
Ai është kryetari i katërt i infektuar deri më tani në Maqedoninë e Veriut, pasi para tij ishte ai i Çeshinovës, Kumanovës dhe Çairit.
Për momentin, prej javës së kaluar në izolim është edhe kryetari i Komunës së Çairit, pasi fillimisht një i afërm kishte rezultuar pozitiv, për të rezultuar edhe ai pastaj në testim si pozitiv.