Tetova me gjithsej 336 të infektuar gjendet përballë dy opsioneve, thotë epidemiologu Skenderi (VIDEO)
Numri i të infektuarve me virusin korona në Tetovë me rrethinë ka arritur në 336. Të infektuarit kryesisht janë të moshës 20-30 vjeç dhe shumica prej tyre janë me simptome më të lehta. Skenderi nga Qendra për Shëndet Publik konsideron se si institucion “ia kanë dalë” por në qoftë se numri I të infektuarve vazhdon në këtë tempo, ai nuk përjashton mundësinë e përballjes me vështirësi, shkruan Portalb.mk.
Nga gjithsej 18 raste të reja sot, 12 prej tyre janë të Komunës së Tetovës, 3 të Komunës së Tearcës dhe nga një në Zhelinë, Jegunovcë dhe Bërvenicë, kështu qëndron numri sipas komunave reale.
- Komuna e Tetovës-186 (9 kanë ndërruar jetë)
- Komuna e Bogovinës-60 (6 kanë ndërruar jetë)
- Komuna e Tearcës-39(2 kanë ndërruar jetë)
- Komuna e Bërvenicës-20(1 ka ndërruar jetë)
- Komuna e Jegunovcës-18(3 kanë ndërruar jetë)
- Komuna e Zhelinës-13 (5 kanë ndërruar jetë)
Sipas Skenderit nga Qendra për Shëndet Publik (QSHP), mosha e cila dominon te të infetkuarit me virusin korona në Tetovë me rrethinë është 20-30.
“Mosha e cila dominon te pacientët me kovid-19 janë nga 20-30, si dhe një pjesë e madhe të moshës 30-40. Ka numër të caktuar të rasteve të reja që kanë simptome jo shumë të rënda dhe ka raste asimptomatike. Rastet me simptomatologji të rëndë janë me numër të vogël” tha Naim Skenderi, epidemiolog në QSHP.
Skenderi shtoi se aktualisht qytetarët e Tetovës mund të zgjedhin mes dy opsioneve, edhe atë “Të ju kthehemi masave restriktive të mëparshme ose të i respektojmë masat aktuale, të cilat parandalojnë përhapjen e virusit, edhe atë duke mbajtur maska mbrojtëse, pastrimi shpesh i duarve si dhe distancimi social, si 3 parime kryesore, Kështu të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin”.
Ai shtoi se në sot janë regjistruar dy klastere apo vatra të reja të virusit korona, edhe atë 1 në Tetovë dhe 1 në Jegunovcë, sipas Skenderit, në qoftë se numri i të infektuarve vazhdon kështu ata do të mund të përballen me vështirësi, për shkak të numrit të vogël të personelit.
“Dy vatra të reja të infeksionit janë regjistruar, njëra është në Komunën e Tetovës dhe tjetri në Komunën e Jegunovcës, i kemi kontaktuar të gjitha kontaktet e tyre dhe janë izoluar. Ne si Qendër deri tani I kemi bë ballë kësaj pune, nuk do të thotë se në të ardhmen në qoftë se kemi kështu mbi 15 raste në ditë do të kemi ndoshta vështirësi, për shkak se nuk kemi numër të madh të personelit. Sidoqoftë, konsideroj se deri tash ja kemi dalë” theksoi Naim Skenderi, epidemiolog.
Për vetëm 24 orët e fundit, sipas informatave nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB), Tetovë, janë evidentuar 44 persona të rij nga Tetova në izolim me vendim të Inspektoratit Shtetërorë Sanitar Shëndetësorë. Ndërsa 15 persona kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim.
Gjithashtu, për mos mbajtje të maskave mbrojtëse në Tetovë janë përgatitur 119 fletëpagesa për kundërvajtje për “mosveprim sipas rregullave gjatë periudhës së epidemisë”.
Ndryshe, ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informon se në 24 orët e fundit 2 persona kanë ndërruar jetë, 164 persona janë infektuar, ndërkaq 12 pacientë janë shëruar. Me këtë numri i përgjithshëm i personave të vdekur prej fillimit të pandemisë ka arritur në 171, të infektuarve 3.701, të shëruarve 1.694, ndërkaq momentalisht në vend kemi 1.836.