Site icon PORTALB

Thaçi beson në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se beson fuqishëm në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mundësuar arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë kam besim të plotë se vetëm me administratën e SHBA-së, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump dhe rolin dinamik të ambasadorit Richard Grenell, gjërat do të lëvizin drejt një procesi produktiv dhe efektiv të dialogut dhe të ndonjë marrëveshjeje eventuale përfundimtare që sjell njohje reciproke si dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar Thaçi, transmeton REL.

Ai i ka bërë komente pas homazheve që ka bërë te memoriali i ushtarëve të rënë të forcave të KFOR-it, gjatë luftës në Kosovë.

Thaçi ka theksuar se shteti i Kosovës ka hequr të gjitha pengesat për rifillimin e dialogut me Serbinë.

“Besoj në zotimin e SHBA-ve se do të ndërmarrin hapat e duhur, në veçanti pas heqjes së barrierave që e pengonin vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Serbia nuk ka më asnjë pretekst të vonojë, përkundrazi çdo vonesë i atribuohet asaj”, ka deklaruar mes tjerash Thaçi.

Sipas tij, Kosova në këtë proces duhet të jetë e bashkuar dhe pa dallime politike.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Exit mobile version