Site icon PORTALB

Mësimi-online në Maqedoninë e Veriut “larg nga idealja”

Mësim online

Mësim online

“Larg nga idealja” kështu nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme e vlerësojnë procesin e mbajtjes së mësimit online në RMV. Pabarazi, testim jo-fer, mungesë e njohurive digjitale nga mësimdhënësit dhe ngarkesa psikologjike te nxënësit janë vetëm disa nga vërejtjet të cilat shihen në raportin e UNSHM-së, shkruan Portalb.mk.

Menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme Republikën e Maqedonisë së Veriut, Portalb informoi për nevojën e mbajtjes së mësimit online, në shkurt të këtij viti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës na thanë se po përgatiteshin për “opsionet, përvojat më të mira” për këtë.

Kurse nga data 11 mars procesi arsimor në vendin tonë është zhvilluar online, për mënyrën dhe kushtet se si kjo e fundit është realizuar, biseduam me Blendi Hodain, i cili paraprakisht kishte publikuar një raport me vërejtje dhe rekomandime drejtuar ministrisë së Arsimit.

Blendi Hodai

Sipas tij, dallimi mes shkollave private dhe publike në këtë aspekt ka qenë jashtëzakonisht i madh, ai thotë se shkollat private paraprakisht vetëm se kishin platforma për mbajtjen e mësimit online, ndërsa të njëjtat nuk përdoreshin nga shkollat e mesme publike në vend.

Hodai gjithashtu potencoi nevojën e krijimit të një platforme unikate shtetërore për E-Arsimin, ku të gjithë mësimdhënësit në vend do ta përdornin të njëjtën platforme e kështu nuk do të krijonin një huti te nxënësit.

“Nuk ka platformë unikate shtetërore për E-Arsimim dhe shumë mësimdhënës përdorin më shumë platforma, që mund të hutojë nxënësit” tha Blendi Hodai.

Si pika të rëndësishme në këtë raport ishte edhe pjesa ku theksohet mungesa e trajnimit te mësimdhënësve, hulumtimet e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme tregojnë se autoritet arsimore nuk investojnë në trajnimin e mësimdhënësve për zhvillimin e aftësive digjitale te ata.

Përveç kësaj, duke analizuar statistikat e rasteve të vetvrasjeve në shtetin tonë fqinj, Republikën e Kosovës, nga kjo organizatë erdhën në përfundim se Qeveria e RMV-së gjithashtu nuk merr në konsideratë ndikimin psikologjik të kësaj krize tek mësimdhënësit, nxënësit dhe familjarët e tyre.

“Qeveria jonë nuk merr në konsideratë ndikimin psikologjik të kësaj krize tek mësimdhënësit, nxënësit dhe familjet e tyre, veçanërisht limitimet e shërbimeve për shëndet mendor që rrjedhojnë nga masat e distancimit shoqëror. Ka shumë pasiguri dhe mungesë informacioni, gjë e cila shkakton që nxënësit e shkollave të mesme të ndjehen nën stres apo ankth të madh. Për shembull, që nga fillimi i masave te distancimit shoqërorë në shtetin tonë fqinj Republikën e Kosovës, ka pasur disa raste vetëvrasjeje nga nxënës dhe student” shtoi Blendi Hodai.

Portalb ua sjell disa nga rekomandimet dhe vërrejtjet e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme drejtuar ministrisë së Arsimit, të cilën e dorëzuan sot.

Ndërkaq, nga kjo organizate shtojnë se kriza e tanishme tregon se institucionet arsimore në vend nuk janë të gatshme për mësim nga shtëpia. Kjo krizë sipas tyre shërben si mundësi për të analizuar modelet tona të arsimit e të kërkojmë metoda të reja inovative të mësimdhënies, hap dyert për të reflektuar dhe për të përmirësuar mësimin nga shtëpia, respektivisht nga distanca që të jetë më efektive në të ardhmen.

Exit mobile version