Site icon PORTALB

Eurozona drejt unifikimit bankar

Sipas marrëveshjes, bankat me më shumë se 30 miliard euro asete do të jenë në monitorim të përhershëm nga Banka Qendrore Europiane

Sipas marrëveshjes, bankat me më shumë se 30 miliard euro asete do të jenë në monitorim të përhershëm nga Banka Qendrore Europiane

Pas bisedimeve maratonë, Ministrat e Financave të Eurozonës nënshkruan në orët e mëngjesit të së enjtes marrëveshjen që i jep fuqi mbikqyrëse Bankës Qendrore Europiane ndaj të gjitha bankave private që operojnë në zonën e monedhës së përbashkët. 

Marrëveshja cilësohet si tepër e rëndësishme dhe një hap i madh drejt unifikimit bankar të Eurozonës dhe i paraprin takimit e krerëve të Bashkimit Europian më vonë gjatë ditës së sotme.

Rregullat e reja të përcaktuara nga marrëveshja e Ministrave të Financave, që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2014, synojnë parandalimin kolapseve bankare si dhe të shmangë ndërhyrjet e qeverive të Eurozonës.

“Arritëm një marrëveshje të rëndësishme për të vendosur një mekanizëm mbikqyrës për të gjitha bankat që operojnë në zonën e monedhës së përbashkët”, deklaroi ministri gjerman i financave, Wolfgang Schauble, ndërsa Komisioneri Michell Bariner shtoi se hap pas hapi bashkimi bankar europian do të ndërtohet dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara.

Sipas marrëveshjes, bankat me më shumë se 30 miliard euro asete do të jenë në monitorim të përhershëm nga Banka Qendrore Europiane. Kësaj të fundit i shtohen kompetencat të ndërhyjë tek kreditorët dhe huadhënësit e vegjël në momentin e parë që vëren se diçka nuk shkon.

“Ministrat e Financave ndërmorën një hap gjigant përpara, një hap më shumë drejt integrimit financiar; një transferim domethënës kompetencash nga qeveritë kombëtare të Eurozonës, drejt Bankës Qendrore Europiane”, deklaroi gazetari i BBC-së, Gavin Hewitt.

Edhe para këtij pakti, ekzistonte një marrëveshej mes vendeve të Bashkimit Europian që i siguronte rolin mbikqyrës Bankës Qendrore Europiane, por risia qendron tek fakti se me marrëveshjen e re, BQE-së i jepet autoriteti të vendosë mbylljen e bankave që veprojnë brenda Eurozonës kur vëren se ato shkelin rregullat e përcaktuara./portalb/

Exit mobile version