Site icon PORTALB

Pastrohen rrugët, mësimi fillon nesër në Tetovë

Tetova

Tetova

Rrugët kryesore të komunës së Tetovës janë të kalueshme dhe deri diku komunikacioni është duke u zhvilluar në kushte më të lehta. Problemi më i madh qëndron te vend parkimi i veturave sepse gjitha parkingjet përreth rrugëve janë të zëna ndërsa qytetarët janë të detyruar që veturat e tyre t’i parkojnë në rrugë. Rrugët  për në malësinë e Sharrit janë të pastruara, deri në fshatin Shipkovicë janë të kalueshme ndërsa veturat mund të lëvizin edhe pa zinxhirë, mirëpo për në fshatin Brodec, Veshallë dhe Bozofcë janë të nevojshme pajisjet dimërore.

Sipas banorëve, situata në fshatrat e Llacës, Sellcës dhe Vicës, rrugët janë të kalueshme dhe automjetet me pajisje dimërore mund ta kalojnë edhe pa zinxhirë. Sipas banorëve të Veshallës, komuna e Tetovës ka angazhuar një kompani private të këtij fshati dhe gjatë natës së mbrëmshme dhe gjatë ditës së sotme, sipas tyre, rrugët janë të kalueshme. 

Zëdhënësi  i komunës së Tetovës Faton Murseli sot përmes një konference për shtyp ka njoftuar se të gjitha rrugët janë të pastruara dhe procesi mësimor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të fillojë gjatë ditës së nesërme. 

“Gjatë ditës së djeshme, por edhe gjatë tërë natës bagerat edhe kamionët borëpastrues pandërprerë kanë pastruar rrugët e të gjithë qytetit dhe rrugët e fshatrave të malësisë. Shtabi  emergjent gjatë tërë kohës ka qenë në terren dhe bashkërisht me shërbimet e komunës  janë vënë në funksion të pastrimit të borës nga rrugët e qytetit. Ky angazhim ka bërë që të gjitha rrugët e qytetit  dhe rrugët e malësisë të jenë të kalueshme dhe të sigurohet qarkullimi dhe lëvizje e papenguar nga bora. Njëkohësisht dëshirojmë të informojmë se nesër do të vazhdojë normalisht procesi mësimorë për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Tetovës, ndërkohë që dita e sotme e mësimit do të zëvendësohet këtë të shtunë” tha Murseli.

Ndryshe, fshatrat e malësisë së Tetovës të cilat u bllokuan nga reshjet e borës gjatë ditës së djeshme, mbeten të bllokuara, ndërsa situata e tensionuar ishte edhe në komunën e Tetovës, ku nga ana e komunës së Tetovës u detyruan që ta ndërpresin procesin arsimor gjatë ditës së sotme./Portalb

Exit mobile version