Site icon PORTALB

RMV, Të rinjtë do të marrin vauçerë prej 3000 den për blerjen e prodhimeve vendore

Foto nga Portalb.mk / Arbnora Memeti

Nxënësit dhe studentët prej 16 deri në 29 vjeç, janë të përfshirë në pakon e tretë qeveritare dhe do të mund të marrin vauçerë prej 3000 denarësh përmes kartelave pagesore, të dedikuara për blerje të prodhimeve vendore, njofton Portalb.mk.

Listën e shfrytëzuesve do ta përgatisë Ministria e Arsimit, me të dhënat nga sistemi elektronik i shkollave dhe universitete, ndërsa të rinjtë do të mund të verifikojnë nëse janë në listë në ueb faqen www.kupuvamdomasno.gov.mk, me vendosjen e numrit amë.

Vauçeri do të vlejë nga dita e lëshimit deri më 31 korrik dhe ai do të mund të shfrytëzohet për blerjen e produkteve vendore, për pagesa në hotele, kafiteri, agjenci turistike, barnatore, dyqane për pemë, mish pije dhe të tjera, përpos alkoolit dhe duhanit.

Në pajtueshmëri me dekretin, bankat janë të obliguara që të nxjerrin kartelat pagesore në afat sa më të shpejtë dhe jo më vonë se 3 korriku. Personat nën 18 vjeç, të cilat janë përdorues të kartelës pagesore dhe që kanë dokument identifikimi, do të munden personalisht të japin pajtueshmëri dhe të nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e llogarisë bankare, pa prezencën e prindit.

Kartelat nuk vlejnë për tërheqjen e parave kesh nga bankomate apo për transferimin e parave në llogari apo kartela tjera.

Objektet e tregtisë me pakicë, si dhe ato të cilët të cilët ofrojnë blerje online,  janë të obliguar që të sigurojnë kënd të posaçëm me shenjën “Blej prodhime vendore”.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Drejtoria për të Ardhura Publike, do të kryejnë mbikëqyrje inspektuese sa i përket respektimit të këtyre rregullave. Për tregtarët që do të bëjnë shkelje, janë paraparë gjoba prej 100 deri 1000 euro. Gjoba prej 100 deri në 500 euro parashihen edhe për personat përgjegjës të bizneseve.

Exit mobile version