Site icon PORTALB

Serbia dhe Hungaria, gati të kthejnë tifozët në stadiume

Serbia mund të bëhet vendi i parë që hap dyert për spektatorët në shkallët e stadiumeve, natyrisht duke lënë mënjanë Bjellorusinë, shtet që nuk u mbyll kurrë dhe nuk pranoi t’i nënshtrohej regjimit të fortë të karantinimit, siç ndodhi në gjitha shtetet e tjera anembanë globit. Superliga Serbe është ndërprerë që në mesin e muajit mars, pas ndeshjes Crvena Zvezda – Napredak, që u fitua me rezultatin e thellë 3-0 nga kampionët në fuqi. Tani kampionati është shumë pranë rikthimit dhe gjithçka është programuar për të filluar ditën e premte, me takimin Indija – Spartak Subotica, transmeton SS.

Bëhet fjalë për Javën e 27 të kampionatit në këtë vend, ndërsa menjëherë pas përfundimit të sezonit të rregullt ky kompeticion do të vazhdojë me dy grupe të ndarë me nga 8 skuadra, që do të vijojnë respektivisht aventurën e tyre për fitimin e titullit kampion si dhe për të përcaktuar ekipet që do të zbresin një kategori më poshtë.

Ndeshjet e Javës së 27 është e sigurtë që do të luhen me dyer të mbyllura, ndërsa sa i përket pjesës së mbetur, në varësi të rrethanave është menduar që ndeshjet të zhvillohen me praninë e spektatorëve. Serbia pozicionohet në vendin e 48-të në botë, me 11.275 të infektuar me virusin COVID-19, prej nga ku kanë rezultuar fatale 240 raste, pra me një shkallë vdekshmërie vetëm 2.1%. Nga sa bëhet e ditur Serbia do të lejojë praninë e spektatorëve në stadiume duke filluar që nga data 1 qershor, sidoqoftë një ndryshim i tillë vlen jo për të gjitha sportet që zhvillohen në ambiente të hapura, por natyrisht me kushtin e vetëm, për të respektuar distancën sociale, për sa kohë që të jetë ende aktive pandemia e Koronavirusit.

Në lidhje me këtë, Komiteti i Posaçëm i ngritur enkas nga Qeveria Serbe për gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë së koronavirusit, këmbënguli në faktin që fansat e ndryshëm do të duhet të qëndrojnë të paktën një metër larg njëri – tjetrit, në shkallët e stadiumeve, për të respektuar masat e ndërmarra që janë përcaktuar që më herët, për mbarëvajtjen e kampionatit.

Pak kilometra sipër Serbisë, pikërisht në kufirin verior, një tjetër vend po mendon gjithashtu për të rikthyer tifozët në shkallët e stadiumeve. Bëhet fjalë për Hungarinë, që të shtunën e kaluar iu rikthye aktiviteteve, me takimin Ferencvaros – Debrecen, pas një mungese 2-mujore për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa në datat 23 dhe 26 të këtij muaji në vendin maxhar u mbajtën gjithashtu edhe sfidat gjysmëfinale të Kupës së Hungarisë me sistem vajtje – ardhje, prej nga ku fituan të drejtën për të shkuar në finale Mezokovesd – Zsory dhe Honvedi i Budapestit. Tani Qeveria Hungareze ka ndezur dritën jeshile për rikthimin e publikut në impiantet sportive.

Natyrisht edhe në këtë vend është përcaktuar një protokoll nga Federata Hungareze e Futbollit që kërkon zbatimin e një sërë masash dhe respektimin e rregullave të distancimit fizik, gjithsesi është vendosur që në stadiumet e futbollit tifozët të shpërndahen, me një spektator në çdo pesë vende, kështu për shembull, stadiumi “Groupama Arena” i kampionëve në fuqi të Ferencvarosit, klubit kryeqytetas, që udhëheq ligën e sivjetshme maxhare me 9 pikë më tepër se Fehervari, do të reduktohej nga 22.000 që ka kapacitetin maksimal në praninë e vetëm 4.400 spektatorëve.

Tani nuk mbetet gjë tjetër përveçse të ratifikohet marrëveshja e arritur ndërmjet Federatës dhe drejtuesve të klubeve, marrëveshje që mund të bëhet funksionale që këtë fundjavë. Në mesjavë Ferencvarosi fitoi 1-0 jashtë fushe derbin e nxehtë të kryeqytetit ndaj Ujpeshtit, sidoqoftë kampionati hungarez përbëhet nga vetëm 12 skuadra dhe përmban tre faza, e deri në përfundimin e tij nevojitet të luhen edhe tetë javë gjithsej.

Ndryshe, Komisioni për gara pranë Federatës së futbollit të Maqedonisë (FFM) në mbledhjen e sotme solli propozim-vendim për vazhdimin e sezonit 2019/2020 në Ligën e Parë, por pa pranin e publikut, ndërsa ndërpritet kampionati për Ligën e Dytë dhe të Tretë.

LEXO: FFM-ja vendosi për (mos)vazhdimin e kampionateve të futbollit

Exit mobile version