Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe rastet pozitive të gjitha janë konfirmuar në Tiranë, mes tyre edhe personel shëndetësor, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me COVID-19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë radhazi pa raste të reja. Vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë”, thekson ministria.
Në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 11 qytetarë, duke e rritur në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë, ndërsa aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19.
Në Shqipëri janë kryer deri tani gjithsej 15.319 testime, ndërkohë 33 persona kanë humbur jetën nga COVID-19, që nga fillimi i pandemisë.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore, ku janë në fuqi disa nga masat, ndërsa prej disa javësh ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset.