Site icon PORTALB

Drejtësidashësi dhe lepurara

Xhabir Ahmeti

Këto ditë m’u paraqit një mik në telefon. Në bisedë e sipër “ra fjala” për fjalën sllave “pravednik” ose anglisht – “righteous”. A e kemi ne këtë fjalë dhe nëse e kemi  cila është? Nëse s’e kemi, a ka mundësi  që të bëhet ndonjë kalk për të, por gjithmonë duke u kujdesur për natyrën dhe ligjet e gjuhës shqipe? Natyrisht, puna e parë që duhet bërë me këtë rast është të vërtetohemi a e ka fjalën e kërkuar ky fjalor prej nja tridhjetë e pesë mijë fjalëve që e kemi. Është si është – ai do të respektohet derisa dy akademitë e shkencave dhe të tre institutetqë merren me gjuhën shqipe nuk e nxjerrin fjalorin e ri aq të pritur. Dhe, fjalori i tashëm i gjuhës shqipe e ka një kalk që do të duhej t’i përgjigjej, por që s’i përgjiet fjalës sllave “pravednik/pravednica” dhe asaj angleze “righteous”. Në këtë fjalor e gjejmë fjalën DREJTËSIDASHËS. Ndalem  e mendoj rreth saj. Kalk është, si shumë kalke të tjera të bëra aty për aty, sa për ta zënë një birë, por pa pasur kujdes për natyrën e gjuhës sonë, të ligjeve të saj. Drejtësidashës? Një kalk të cilit i mungon muzikaliteti ose më mirë të themi kumbimi, i mungon edhe ëmbëlsia e gjuhës sonë dhe  aspak nuk është e bërë sipas rregullave të gjuhës shqipe. Është një kompozitë më e rëndë madje edhe se emri hekurudhë. Me gjasë hekurudhën e kanë bërë me ngut rilindësit, sepse ata s’kanë pasur kohë. Është dashur të bëhet gjuha shqipe me alfabet e me fjalor të vetin në mënyrë që të plotësohen kushtet për themelimin e shtetit shqiptar, së paku në atë hapësirë të vogël që mbeti pa u gllabëruar nga fqinjët. Prandaj rilindësve u falet. Të tjerëve – jo. Në atë atmosferë kur kanë jetuar rilindësit tonë nuk kanë pasur as kohë e as mundësi të ndalen e ta dëgjojnë popullin i cili atëherë e sot i thotë hekurudhës udhë hekri, udha e hekrit. Njësoj siç i thotë francezi chemin de fer e nuk i thotë ferchemin. Pse do të ishtë më mirë t’i thuhet udhë e hekrit e jo hekurudhë? Sepse në gjuhën shqipe thuhet udhë e dhive e nuk mund të thuhet “dhiudhë” ose Ara e Lepurit e s’mund të thuash Lepurarë. Edhe te fjala drejtësidashës nuk janë konsultuar populli ose shkrimtarët me emër, që ata ta jepnin ndonjë propozim. Nuk  i kanë pasur parasysh, ta zëmë kompozitat shqipe si dashamir, dashakeq, sosapunë, prishapunë, prishaplang, derdhaplang, etj. Kështu drejtësidashës është një fjalë e vdekur, e mbetur vetëm në letër.

Po t’i kthehemi fjalës që e kërkojmë, pra fjalës pravednik ose righteous. Kjo është fjalë që i takon fjalorit religjioz, më drejt biblik. Bibla e përkthyer në gjuhën shqipe e ka “i, e drejtë”. Në rregull. Po halli është se në gjuhët sllave është fjala (mbiemri) prav/a që plotësisht i përgjigjet fjalës shqipe. Është edhe anglisht fjala straight. Si t’i bëhet halli tash? Natyrisht kur s’kemi zgjidhje të menjëherëshme do ta përdorim: i, e drejtë dhe do të kujdesemi e do ta kemi parasysh se e kemi të bëjmë me një fjalë që i takon leksikut religjioz. Do të themi, për shembull. Agimi është i drejtë ose njeri i drejtë, pse jo, ashtu siç thuhet edhe latinisht homo iustis, gen. Hominis iusti. Pse mos ta përdorim edhe sintagmën njeri i drejtë? Le ta përdorim kështu derisa klerikët tanë, ose juristët e linguistët ose shkrimtarët tanë, s’e gjejnë një fjalë shqipe që ndoshta jeton diku në fshatrat e malësisë në Mirditë a në Malësinë e Shkodrës, ndoshta edhe në hapësirat ku vepron kisha ortodokse shqiptare. Po edhe në fshatrat e Tetovës, pse jo. Sepse edhe ndër ne është ruajtur diçka nga koha e krishtenizmit. Edhe sot e kësaj dite thuhet: i dalëm krajçit (i dalë kryqit), pra i dalë feje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version