Site icon PORTALB

Kosovë, xhamitë pa xhematë për festën e Fitër Bajramit për shkak të COVID-19

Namazi i Fitër Bajramit në xhamitë e Kosovës është pezulluar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për xhematin, për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Sot të gjitha xhamitë e Kosovës kanë qenë bosh nga xhemati, megjithëse BIK mori vendim që nga minaret e të gjitha xhamive të “lexohen tekbire dhe salavate nga ora 5 e 45 të ditës së diel, që përkon me hyrjen e kohës së Fitër Bajramit”.

Kështu në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë, kanë prezantuar një grup hoxhallarësh të udhëhequr nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ku është mbajtur ligjëratë, janë lexuar tekbire dhe selavate.

Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, i cili për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, këtë të premte ka bërë të ditur lajmin për mos hapjen e xhamive për besimtarët për faljen e namazit, u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që të shmangin vizitat tradicionale tek njëri-tjetri për Bajram.

“Ky realitet pa dyshim paraqet një ndjesi jo të këndshme, por megjithatë domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik. Edhe pse kemi arsye për festë, kur është në pyetje shëndeti publik dhe kur përballemi me rreziqe të përgjithshme duhet të vepruar e punuar përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ashtu siç kërkojnë institucionet tona profesionale. Në përballje me pandeminë institucionet tona brenda mundësive kanë bërë më të mirën e mundshme për ta ruajtur shëndetin e popullatës tonë, për çfarë meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë”, tha Tërnava.

Sot sipas paralajmërimit të BIK-ut, nuk do të ketë në selinë qendrore të këtij institucioni por as në selitë e këshillave lokalë të BIK-ut pritje tradicionale për urimin e festës nga udhëheqës institucionesh dhe qytetarë.

Në vend të daljes tek njëri tjetri, BIK bëri thirrje që ruhet karakteri “festiv i Bajramit në shtëpitë tuaja me familje, pranë të dashurve tuaj”.

Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë.

Exit mobile version