Site icon PORTALB

Fitër Bajrami festohet në Maqedoni dhe botën islame nën hijen e KOVID-19, gëzuar për shumë vite!

Gëzuar FItër Bajrami

Pas 30 ditëve agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit, myslimanët në mbarë botën sot e festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha islame. Për dallim nga vitet e tjera, për shkak të pandemisë KOVID-19, këtë vit Bajrami nuk po festohet sipas riteve tradicionale, pasi që autoritetet kanë ndërmarrë masa për parandalimin e virusit korona, njofton Portalb.mk.

Besimtarët sot në mëngjes në ora 5:46 e falën namazin e Fitër Bajramit. Portalb.mk ka vizituar një xhami dhe sipas asaj që mund të shihet dhe në fotografinë e mëposhtme, shumica e besimtarëve nuk i kanë respektuar rekomandimet e autoriteteve për mbajtjen e distancës prej së paku 1 metër dhe mbajtjen e maskave.

Falja e namazit të Fitër Bajramit në “Xhaminë e Uhudit” në Lagjen “Dizhon” të Komunës së Çairit (24.05.2020)

Portalb ishte edhe në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup dhe për dallim nga Xhamia e Dizhonit, këtu janë respektuar masat e rekomanduara nga BFI dhe autoritetet shtetërore.

Më poshtë mund të shihni foto-galeri nga falja e namazit,

Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Sipas traditës myslimanët e festojnë këtë Bajram 3 ditë.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Sulejman Rexhepi, nëpërmjet një video-mesazhi, ka uruar besimtarët mysliman me rastin e festës së Fitër Bajramit. Ai tha se, besimtarët po dalin nga një Ramazan që sivjet ishte pak më ndryshe, por vetëm nga forma e jashtme e tij, brendia e Muajit të Bekuar, siç theksoi ai, përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta, ishte e pandryshuar sikur në pesëmbëdhjetë shekujt e shkuar të Islamit.

“Në fakt, kam bindjen se Ramazani që po e përcjellim na bëri edhe më të fortë, rreziku që na sillej vërdallë ndikoi të mbështetemi edhe më shumë te Zoti ynë, të jemi më solidarë, të kujtojmë me tërë qenien se jeta, lumturia dhe ardhmëria jonë janë përcaktim i të madhëruarit Zot. Mbi atmosferën për plotë dilema e ankthe që e krijoi Covid 19, ngadhënjyen dashuria dhe besimi ynë ndaj Allahut. Duke madhëruar emrin e Krijuesit dhe duke ndier kënaqësinë e paqes dhe qetësisë që Ai i shpërndau në shpirtrat tanë, ne e ripërtrimë bindjen tonë duke forcuar cilësitë tona të mira dhe duke u menduar më thellë rreth të metave që mund t’i kemi. Të dashur Besimtarë urime të përzemërta Festa e Fitër Bajramit. E gëzofshi me të gjithë anëtarët e familjeve tuaja, me miq, shokë dhe dashamirë”, ka thënë Rexhepi.”, ka thënë Rexhepi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut lejoi që të falet namazi i Fitër Bajramit në xhami, pasi që Bashkësia Fetare Islame kishte miratuar një vendim paraprak, që falja e namazit të Bajramit të bëhet nën masa të veçanta me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit korona. Megjithatë, pasi të falet namazi, prej orës 11:00 qytetarët e RMV-së do të jenë në izolim deri të martën në ora 05:00.

Rekomandimet e BFI-së për Fitër Bajramin

Riaseti i BFI-së, për shkak të virusit korona e ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të faljes së Fitër Bajramit.

Nga ana tjetër, qytetarët myslimanë të Shqipërisë këtë vit namazin e Fitër Bajramit nuk e kanë falur në sheshin e Tiranës “Skënderbej”, ashtu sikur ishte shndërruar në traditë, por vetëm nëpër xhami.

Xhamitë e Kosovës kanë qenë të mbyllura gjatë Fitër Bajramit. Namazin e Bajramit e kanë falur vetëm disa imamë të BIK-ut të Kosovës, ndërkaq më pas myftiu Naim Tërnatava ka mbajtur fjalim drejtpërdrejt me mesazh për këtë festë.

Nga ana tjetër, shtetet me popullsi myslimane në mbarë botën kanë marrë vendime që shëndetin e qytetarëve ta vënë në rend të parë. Arabia Saudite gjatë festës së Fitër Bajramit është e izoluar për 24 orë, përfshirë edhe vendin e shenjtë të myslimanëve – Mekën. Turqia është e izoluar për 4 ditë.

Gjatë kësaj feste urime kanë dërguar krerët e institucioneve shtetërore, njerëzit e jetës politike, akademike, e artistike në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet dhe gjitha të mirat!

Exit mobile version