Site icon PORTALB

Vaksina për COVID-19, prova shpresëdhënëse te majmunët

Vaksinim, foto ilustrim nga Portalb.mk

Foto ilustrim nga Portalb.mk

Dy studime të kryera me majmunët dhe të botuara të mërkurën ofrojnë disa prova të para shkencore se njerëzit që e kalojnë COVID-19n mund të rezultojnë me imunitet nga ri-infeksioni, një shenjë pozitive se vaksinat në zhvillim e sipër mund të kenë sukses, thanë të mërkurën studiuesit amerikanë.

Edhe pse shkencëtarët kanë supozuar se antitrupat e prodhuar në përgjigje të virusit të ri janë mbrojtës, nuk ka prova të sakta dhe të provuara mirë shkencërisht për ta mbështetur këtë supozim.

Në një nga studimet e reja, shkencëtarët infektuan nëntë majmunë me COVID-19. Pasi u shëruan, ekipi i ekspozoi ata përsëri ndaj virusit dhe kafshët nuk u sëmurën.

Gjetjet tregojnë se majmunët “zhvillojnë imunitet natyror që i mbron nga rishfaqja e virusit”, tha Dr. Dan Barouch, studiues në Qendrën për Virologjinë dhe Hulumtimet e Vaksinave në Qendrën Mjekësore të Harvardit Beth Israel Deaconness në Boston, studimet e të cilit u botuan në revistën Science, transmeton VOA.

“Është një lajm shumë i mirë,” tha Dr. Barouch.

Në studimin e dytë, Barouch dhe kolegët e tij testuan 25 majmunë me gjashtë vaksina eksperimentale për të parë nëse antitrupat e prodhuar ishin mbrojtës.

Pastaj majmunët u ekspozuan me koronavirusin që shkakton COVID-19.

Të gjitha kafshët e painjektuara treguan shkallë të lartë të virusit në hundët dhe mushkëritë e tyre, ndërsa tek kafshët e vaksinuara, “ne pamë një shkallë të konsiderueshme mbrojtjeje”, tha Dr. Barouch. Tetë nga kafshët e vaksinuara ishin plotësisht të mbrojtura.

Studimet jo patjetër dëshmojnë se njerëzit zhvillojnë imunitet por ato japin shpresë.

“Këto të dhëna do të shihen si një përparim i mirëpritur shkencor,” tha Dr. Barouch.

Exit mobile version