Site icon PORTALB

Tetovë, për dy vjet 191 vepra penale i kanë kryer të miturit, si trajtohen nga shteti dhe familja

Foto: Pexels

Foto: Pexels

Kriminaliteti te të miturit është një nga problemet që duhet të i kushtohet më shumë vëmëndje, për dy vite radhazi vetëm në rajonin e Tetovës me rrethinë janë regjistruar 191 vepra penale të cilat janë kryer nga të miturit. Sipas psikologes Fitore Ziberi, prindërimi jo adekuat shpien fëmijën deri te sjelljet e këtilla, por jo vetëm, shkruan Portalb.mk.

Statistikat të cilat i siguroi Portalb.mk tregojnë një tendencë të frikshme të fëmijëve delikuent, të cilët kryejnë vepra penale ndërsa të njëjtit më pas sanksionohen bazuar në moshën e tyre, personalitetin, peshën e veprimit antiligjor, nevojës së edukimit dhe riedukimit.

Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, sektor ky i cili përfshin rajonin e pollogut, na informoi se gjatë dy viteve të fundit është regjistruar një ulje e lehtë e kriminalitetit te fëmijët ndërsa veprat penale më të shpeshta janë “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”.

“Sektori për punë të brendshme Tetovë, njofton se gjatë vitit 2018 në rajonin e Tetovës, janë  regjistruar 98-vepra penale (4% nga numri i përgjithshëm i kriminalitetit),  me ç’rast janë përgaditur 64 kallëzime penale, kundër 132 personave të mitur, ndërsa gjatë vitit 2019 janë regjistruar 93 vepra penale (4% nga numri i përgjithshëm i kriminalitetit), kurse janë përgaditur 59 kallëzime penale, kundër 74 personave të mitur, kështu që është regjistruar një ulje e lehtë e krimit që kryejnë personat e mitur, ndërsa, veprat që më së shpeshti hasen tek kjo kategori janë vjedhjet dhe vjedhjet e rënda” theksoi Fatmir Rexhepi.

Ai shtoi se Sektori për Punë të Brendshme vazhdimisht punon në zvogëlimin e kësaj dukurie, gjegjësisht, delikeuncës së të miturve, edhe atë nëpërmjet projekteve të ndryshme edukativo-preventive me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në rajonin që mbulon ky sektor.

Cilat janë sanksionet që ju shqiptohet të miturve që kryejnë vepra penale?   

Qëllimi i masave edukuese, dënimeve, masave alternative dhe të sanksioneve kundërvajtëse është që përmes dhënies së mbrojtjes dhe ndihmës fëmijëve, me kryerjen e mbikëqyrjes mbi ta, me aftësimin e tyre profesional me zhvillimin e tyre personal të përgjegjësisë, të sigurohet edukimi, riedukimi dhe zhvillimi i drejt i tyre.

Fëmijës prej moshë 14 deri në 16 vjet mund të shqiptohen kryesisht  masa edukuese, që kryesisht është qortim apo mbikëqyrje e përforcuar nga ana e prindërve, por jo vetëm.

Dënimi kryesor dhe më i rëndi i cili ju shqiptohet vetëm fëmijëve të cilët i kanë mbushur 16 vjeç, është burgu për fëmijë, ndërsa për të arritur deri te ky dënim, vepra penale e kryer duhet që të jetë e dënueshme me burg prej pesë vitesh ose dënim më i rëndë. Burgu për fëmijë nuk mund të jetë më i shkurtër se një vit e as më i gjatë se 10 vite.

Disa nga sanksionet tjera përfshinë edhe: Masat edukuese, masat e entit, burgu për fëmijë, dënimi me para, masat alternative, gjoba, e kështu me radhë.

Rruga e fëmiut deri te kryerja e veprës penale

Fitore Ziberi, psikologe.

Për të na sqaruar këto dilema, folëm me psikologen Fitore Ziberi sipas së cilës shumë studime kanë vërtetuar se  prindërimi neglizhent apo indiferent, mungesa e dashurisë dhe mos interesi shpien deri në shqetësime serioze mentale te fëmijët.

“Janë bërë një sëre hulumtimesh në këtë lëmi, vlen të citohen rezultatet e mara nga studimet e bëra në psikologjinë zhvillimore, neurobiologjinë dhe socio-psdikologjine, ku theksohet se prinderimi neglizhentë apo indiferent, i paqëndrueshem, mungesa e dashurisë dhe mos intersi shpien deri ne shqetsime serioze mentale, njëkohsishte edhe në reduktim apo ulje të potencialit, kreativitetit dhe lumturisë te këta fëmije. Kur fëmiu ndjen se është i pranuar dhe I dëshiruar ne rrethin e tij familjarë dhe atë social, ndikon në zhvillimin e tij nervorë, e bënë atë me pak të stresuar dhe anksioz. Gjë që na shpie deri te marrdhënia e dëshiruar konform normave shoqërore” tha Fitore Ziberi.

E cilët janë konkretisht ata faktorët të cilët ndikojnë që një i ri të kryej vepra penale, të cilat më pas do të ndikonin në jetën e tij profesionale dhe emocionale?

“Vlerat anti-sociale – të menduarit destruktiv apo kriminal, racionalizimi i ideve me përmbajtje kriminale, dhe bindja se kjo lloj sjellje dëmton vetëm të tjerët dhe jo ata.

Personaliteti anti social – përfshin sjellje atipike për moshën që kanë. Duke përfshi mungesa në shkollë, zënka, mbajtja e armëve, dëmtimi I pronave publike, shfaqja agresivitetit tek kafshët

Familja disfunksionale – një prej arsyeve prior dhe më të shpeshta është marrdhënia prind- fëmijë dhe anasjelltas. Prindërimi jo adekuat përfshin mos komunkim në familje, munges e suportit emocional, abuzim psiqik dhe fizik, mungesa e disciplinës, statusi financiar I familjes, dhe në të shumtën e rasteve familje poashtu e përfshirë në krim.

Abuzimi me substanca – përdorimi  I lëndëve narkotike dhe alkoholit që dukshëm bën të pamundur funksionimin normal dhe produktiv të një të mituri” shtoi Fitore Ziberi, psikologe.

Ndryshe, në Ligjin Penal për të Miturit të RMV-së, si organ kompetent për parandalimin e delikuencës së fëmijëve parashihet Këshilli Shtetëror dhe Këshillat Komunal. I pari është i përbërë prej gjithsej 15 antëtarë nga ministri të ndryshme të cilët zgjidhen nga Kuvendi i RMV-së, ndërsa në punën e këtij këshilli mer pjesë edhe Avokati i Popullit.

Exit mobile version