Site icon PORTALB

Partitë nuk u morën vesh për datën e zgjedhjeve

Takim i liderëve, takim liderësh, zgjedhje, Vila Vodno, Stevo Pendarovski, NATO, BE,

Pas më shumë se 3 orëve bisedime, krerët e partive politike në vend, nuk u morën vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, njofton Portalb.mk.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, vlerësoi se zgjedhjet duhet të mbahen në terminin e parë të mundshëm, gjegjësisht propozimi i tij është 21 qershori. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vlerëson se zgjedhjet duhet të mbahen në fund të verës, gjegjësisht në fund të gushtit.

Pas mbarimit të takimit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, nuk sqaroi se cili është propozimi i tyre, por tha se shëndeti i qytetarëve është në vend të parë dhe duhet të ketë konsensus për datën e zgjedhjeve.

“Gjithë situata duhet trajtuar me kujdes, mbi te gjitha për ne është shëndeti i qytetarëve, e rëndësishme gjithashtu për ne është që situatën ta tejkalojmë, duke qenë në komunikim përhershëm me institucionet shëndetësore si dhe të arrihet konsensus për një datë të mundshme, me sa më pak rrezik për qytetarët”, tha Ahmeti.

Përfaqësuesi i PDSH-së, Azem Sadiku, vlerësoi se 22 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të mbahen zgjedhjet.

Ky është takimi i dytë që liderët te Pendarovski flasin për zgjedhjet.

Në takim janë morën pjesë liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe nënkryetari i PDSH-së, Azem Sadiki, si dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Oliver Spasovski.

Në takimin e 12 majit, u vendos që para përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve, të kërkohet mendim nga Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve, nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe nga Zyra e OSBE/ODIHR.

Anëtarët e KSHZ-së janë dakorduar se të gjitha vendimet që duhet të sillen lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe vazhdim të procesit zgjedhor në kontekst të masave për koronavirusin duhet të jenë në pajtim me Kodin zgjedhor dhe ligjet ekzistuese.

Stevo Pendarovski

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi deklaroi javën e kaluar se, Komisioni për Sëmundje Infektive ka përgatitur protokoll për zbatimin e fushatës zgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, për fushatën zgjedhore propozohen rregulla për lëvizje, tubimet duhet të zhvillohen duke respektuar distancën fizike prej 1.5 deri në 2 metra, mbajtja e obligueshme e maskës dhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë fushatës në hapësira të mbyllura, ndërsa në hapësira të hapura, kur nuk mund të mbahet distancë fizike.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit.

Exit mobile version