Kur t’i kthehemi përditshmërisë

Bëhet e qartë dita ditës më shumë që së shpejti do e tejkalojmë fazën më të rrezikshme të pandemisë. Ndoshta tani më edhe e kemi tejkaluar, dhe tani e tutje, përveç kujdesit të vazhdueshëm, do të duhet dalë ngadalë t’i kthehemi jetës së përdtishme. Si do t’i kthehemi asaj përditshmërie varet tërësisht nga ne. A kemi mësuar vallë diçka nga e gjithë kjo situatë apo asgjë, hiç fare.

A do të vazhdojmë të vrapojmë tërë kohën si të marrë për një destinacion që kurrë nuk arrihet? Sepse sado që të bësh, gjithmonë mund të bësh më shumë, sado që të fitosh, gjithmonë mund të fitosh më shumë, sado që të ngopesh, mund të hash më shumë. E pra, a do vazhdojmë të biem pre e përditshme, pre e pangopësisë së përhershme njerëzore apo do të mësojmë të kënaqemi me atë që na duhet. Jo, nuk pretendoj të kënaqemi gjithmonë me aq sa kemi, por me aq sa na duhet. Sepse kjo kohë na ka mësuar se në fakt nuk na duhen edhe aq shumë gjëra në jetë sa ne mendojmë që na duhen. Mund të bëjmë edhe me më pak, mund të jetojmë, edhe atë shumë mire bile.

A do të mësojmë t’i çmojmë gjërat që i kemi e në përditshmërinë tonë të maratonës së vrapimit drejt konsumatorizmit harrojmë që i kemi? Harrojmë për shembull se kjo ditë e sotme nuk do të kthehet më, se fëmijët e sotëm nuk do e kenë këtë moshë që e kanë tani, se të dashurit që i kemi pranë ndoshta nuk do i kemi gjithmonë pranë, ose ndoshta ne nuk do të jemi gjithmonë pranë tyre.

A do të mësojmë vallë të jetojmë në ajër më të pastër, në ambient më të shëndoshë, me më pak makina, me më pak ndotje? Këtë mësim vështirë ta mësojmë, e në fakt sa shumë kënaqemi me ajrin çuditërisht të pastër që e shijojmë gjatë ndalimit të lëvizjes. A thua vallë do të arrijmë ta ndalojmë qarkullimin e automjeteve në qendrat e qytetit dhe realisht të kontribuojmë për një mjedis më të pastër? A thua do të na kujtohet kjo pandemi kur të dalim vitin tjetër në piknikun e pranverës e të mendohemi dy herë para se ta hedhim shishen e plastikës në vendin ku kemi qëndruar në natyrë?

A do të mësojmë vallë ta kalojmë kohën në mënyrë më kualitative? Ta organizojmë punën në mënyrë më efikase dhe të mos humbim kohë me vogëlsira? A thua vallë do të mund të jemi më të vëmendshëm tani që e shohim vlerën e secilës minutë, javë, muaj? A do të dimë të balansojmë mes asaj që vërtet duhet ta bëjmë dhe kohës që e humbim lehtazi, gjithë nonshalancë, sikur të jemi të sigurtë se do të jetojmë me shekuj?

A do të urrehemi aq shumë sa dimë të urrehemi pas kësaj pandemie? A thua vallë jemi në gjendje të mendojmë mirë për njëri tjetrin edhe kur nuk na ndodhin tragjedi, katastrofa dhe pandemi? A thua vallë do të vazhdojmë ta ngulfasim njëri tjetrin me të gjitha veprimet dhe kur të dëgjojmë se është sëmurë atëherë të tregojmë keqardhje dhe të ofrojmë ndihmë?

Njerëzit kanë aq shumë për t’i ofruar njëri tjetrit, aq shumë për të bërë për njëri tjetrin, aq shumë për të mësuar nga njëri tjetri. E megjithatë, atë jetë të shkurtër mbi tokë kryesisht e përdorin duke urryer njëri tjetrin, duke e sabotuar e duke i ngritur kurthe njëri tjetrit, deri sa nuk ndodh një katastrofë që i bën të mendojnë pak më thellë për pak çaste, para se të vazhdojnë më tej me urrejtjen.

Shpresoj që kësaj rradhe të mos jetë kështu. Shpresoj që nga ky izolim të dalim më të pjekur, më të mençur, më të kujdesshëm e më të vëmendshëm ndaj njëri tjetrit. Shpresoj të kemi mësuar se ka shumë gjëra të vlefshme në jetë të cilat ne tash më i kemi. Shpresoj të kemi mësuar t’i çmojmë ato.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button