Site icon PORTALB

Sela i shkruan Pendarovskit: Me kushtëzimin bullgar keni kuptuar se kërkesat tona nuk janë nacionaliste

Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët

Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët

Ziadin Sela, lideri i Aleancës për Shqiptarët i shkruan letër presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke komentuar qëndrimin e tij në lidhje me eurointegrimet në rast se RMV-ja kushtëzohet nga Bullgaria në lidhje me gjuhën, transmeton Portalb.mk.

“Ju përgëzoj për paraqitjen tuaj të 1 majit në Alsat ku theksuat tre prioritete për të ardhmen e vendit, përkatësisht demokracinë, integrimin në civilizimin dhe institucionet perëndimore si dhe një Maqedoni të Veriut heterogjene, <<ku çdo përfaqësues i cilësdo bashkësie etnike apo religjioze ka të drejta të barabarta me të gjithë, me mua, me ty, me këdo qofte>>”, shkruan Sela.

Sela vlerëson se Maqedonia e Veriut është shumë larg këtyre vlerave.

“Ne si shtet jemi ende larg nga këto vlera dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Besoj se edhe ju ndani këtë mendim”, shprehet Sela.

Sela u shpreh kundër qëndrimit të Pendarovski në rast se shteti bullgar e kushtëzon integrimin e RMV-së në BE në lidhje me gjuhën.

“Nuk mund të pajtohem me ju kur thoni se Maqedonia e Veriut do duhej të hiqte dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian (BE) nëse Republika e Bullgarisë kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, me kërkesën që gjuhës maqedonase t’i referohet në dokumentet zyrtare të BE-së si <<gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut>>”, sqaroi Sela.

Ai është i bindur se qytetarët e vendit asnjëherë nuk do të heqin dorë nga Bashkimi Evropian.

“Megjithatë, atë qe nuk po mund të kuptoj është se si edhe pas këtij kushtëzimi bullgar, ju personalisht dhe establishmenti politik maqedonas në përgjithësi, nuk keni nisur qoftë edhe reflektimin më të vogël rreth asaj se si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar”, shprehet Sela.

Në lidhje me këtë çështje, ai parafrazon komentin e Pendarovskit në lidhje me kushtëzimin bullgar:

kur e lexova për herë të parë, dy tre herë jam kthyer në atë formulim. Nuk munda të besoj se në shekullin 21 dikush dikujt mundet t’i kontestojë se gjuha e tij quhet ashtu siç vet e kodifikon dhe praktikon me dekada të tëra”.

Sela këshilloi presidentin se “Mjafton të shikoni në oborrin tuaj, sepse Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një <<gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja>>”, deklaroi Sela.

Ai sqaroi se këta kërkesa janë parashtruar shpesh nga ASH-ja, përkundër asaj se është vlerësuar si një kërkesë nacionaliste.

“Risia sot qëndron te fakti se me kushtëzimin bullgar, një pjesë e politikanëve dhe e popullit maqedonas ka kuptuar, po shpresoj, se kërkesat e shqiptarëve nuk janë nacionaliste. Kjo kërkesë në fakt është një e drejtë natyrore dhe shumë njerëzore që ka të bëjë me identitetin tonë si komb”, deklaroi Sela.

Ai uroi që RMV-ja të gjen zgjidhje në lidhje me Republikën e Bullgarisë në kuadër të komisioneve të përbashkëta, duke garantuar se do të jenë pran RMV-së në zgjidhjen e problemit.

Exit mobile version