Nga fillimi i vitit, duke përfshirë edhe muajin prill, firmat kanë marrë kthim të TVSH-së prej 145 milion euro. Kjo është për 16,7 për qind më shumë në krahasim me vitin paraprak. Vetëm për muajin prill kthimi i TVSH-së ndaj kompanive është 38 milion euro ose për 23 për qind më shumë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kumtuan nga Ministria e Financave.
Nga Ministria thanë se në krahasim me vitin 2018 kthimi i TVSH-së për periudhën janar-prill është rritur për 19,4 për qind, ndërsa në krahasim me periudhën e vitit 2017 për 67,6 për qind.
“Në kushte të krizës më të madhe ekonomike-shëndetësore, e rëndësishme është mbajtja e likuiditetit të ekonomisë. Kthimi i shpejtë i TVSH-së është një nga aktivitetet e rregullta të cilat ndërmerren në atë drejtim”, theksoi ministrja e Financave Nina Angelovska, transmeton MIA.
Ajo tha se drejt përmirësimit të likuiditetit të firmave veprohet edhe përmes masave të cilat i solli Qeveria në të dy setet e masave të antikrizës, si kreditë pa interes nga linjat “Kovid-1” dhe “Kovid-2” të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, në vlerë të tërësishme prej 13,7 milion euro, të cilat janë nga vlera e madhe sepse i targetojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
“Së shpejti përmes bankave komerciale do të plasohet linja e kredive të lira në vlerë prej 51 milion euro. Këtu është edhe masa për anulim të pagesës së akontacioneve të tatimit të fitimit për firmat dhe tatimi i të ardhurave personale për kryerësit e pavarur të veprimtarisë. Përmes masës për mbështetje financiare prej 14,500 denarë për punëtor për muajt prill dhe maj, vlera e së cilës vlerësohet rreth 100 milion euro, përveç qëllimit bazë për pagesë të pagave dhe ruajtjes së vendeve të punës, ajo paraqet injeksion shtesë të madh të likuiditetit në ekonomi”, theksoi Angelovska.