Autoritetet në Nju Jork kanë zbuluar trupa të 100 personave të vdekur nga koronavirusi në dy kamionë pa ftohje pas thirrjeve se nga kamionët po përhapet një aromë e rëndë, njoftoi mbrëmë Ej-Bi-Si.
Sipas raporteve, në secilin prej furgonave të parkuar jo larg nga varrezat në Bruklin, kishte nga 50 trupa.
Sipas autoriteteve, furgona pa ftohje nuk janë mënyrë e duhur për ruajtjen e trupave, pasi qyteti i Nju Jorkut ka siguruar kamionë frigoriferë ku trupat mund të ruhen nëse kapërcehet kapaciteti i shtëpive të varrimit, morgut dhe spitaleve dhe derisa të bëhen procedurat e nevojshme për varrosjen e personit të vdekur.
Autoritetet menjëherë dërguan frigoriferë për t’i ruajtur siç duhet mbetjet njerëzore, transmeton MIA.
Departamenti i Shëndetit në Nju Jork po e heton rastin dhe pritet të ngritë akuza për sjellje të gabuar me mbetje njerëzore. Pronari i varrezave tha që frigoriferi i tij ishte prishur.
Policia e Nju Jorkut e ndaloi hyrjen deri në këtë vend për shkak të rrezikut nga infeksioni.