Duka tregoi kur do të rinis kampionati i futbollit në Shqipëri
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë të dhënë për Radio Kiss Kiss, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ka deklaruar se skuadrat e vendeve ku është vendosur për mbylljen përfundimtare të sezonit duhet t’i luajnë ndeshjet në garat evropiane.
“Edhe pse disa kampionate kanë vendosur të mos zbresin më në fushë për këtë sezon, besoj se ekipet e tyre që janë të impenjuara në kompeticionet europiane (Champions apo Europa League) do të luajnë, gjithsesi.”
Duka zbulon se në Shqipëri është parashikuar që garat të nisin në fund të majit.
“Në Shqipëri ne jemi në kontakte të ngushta me qeverinë dhe Komitetin Shkencor. Kemi për qëllim ta rinisim sezonin në fund të majit. Është e pamendueshme që të ndiqet e njëjta linjë në të gjithë Europën. Numri i të infektuarve ndryshon nga vendi në vend.”
Në të njëjtën linjë me fjalët e Dukës, pak me herët është prononcuar edhe presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi.
“Në dakordësi me UEFA-n, duhet të marrim pjesë në fazën finale të Championsit në vendet dhe datat që mbeten për t’u përcaktuar. Nëse nuk do të jetë e mundur për të luajtur në Francë, jemi gati t’i zhvillojmë ndeshjet tona jashtë vendit, duke garantuar masat e sigurisë shëndetësore për lojtarët dhe stafin tonë.”