Sektori energjetik në RMV po kërkon punëtorë “të gjelbër” të arsimuar për të punuar me teknologji të reja

Sektori i energjisë, i cili mbështetet në karburantet fosile, ndërtimtarinë tradicionale dhe trajtimin e mbeturinave, është ndër sektorët kryesorë që do të pësojë ndryshime serioze gjatë transformimit në një ekonomi të gjelbër. Lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe përpjekjet për të mbrojtur mjedisin në nivel global, por edhe në Maqedoni, po nxisin kalim drejt përdorimit më serioz të burimeve të energjisë së rinovueshme, drejt efikasitetit energjetik dhe përzgjedhjen (selektimin) dhe riciklimin e mbeturinave, njofton Portalb.mk.

Këto janë degë ekonomike që janë duke u zhvilluar në të gjithë botën tashmë disa dekada dhe tërheqin një përqindje të konsiderueshme të fuqisë punëtore. Ekonomia cirkulare është modeli i vetëm për jetesë të qëndrueshme dhe mbijetesë në planet dhe në dekadat e fundit ka pasur nevojë për krijimin e vendeve të gjelbra të punës të përqendruara kryesisht në gjelbërimin e këtyre sektorëve.

Në procesin e tranzicionit të energjisë, tha Antonio Jovanovski i OJQ-së “Go Green”, industritë e karburanteve fosile do të pësojnë rënie dhe humbje të vendeve të punës, për dallim nga sektorët e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe efikasitetit të energjisë, të cilat do të kenë kërkesë të lartë për punëtorë.

“Sipas analizave, ndërtimtaria do të ketë rritjen më të lartë absolute në kërkesë për vende të gjelbra pune në nivel global, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga energjia termike diellore pritet të ketë rritjen më të madhe të përqindjes. Me kalimin në një ekonomi të gjelbër, punët që nuk mund të cilësohen si të gjelbra pritet të mbyllen, siç janë ato në industrinë e naftës dhe sektorin e trajtimit të qymyrit”, thotë Jovanovski.

Kalimi në një ekonomi të gjelbër nuk e anashkalon as Maqedoninë.  Strategjia e energjisë në dy nga tre skenarët parashikon lënien e qymyrit si energjens dhe investim në termocentralet diellore dhe të erës, ndërsa efikasiteti i energjetik e transformon ndërtimtarinë dhe nevojat e shtëpive moderne, që udhëhiqen nga parimi që energjia më e lirë është ajo që nuk do të harxhohet. Sistemi energjetik i vendit varet nga qymyri, që është një nga arsyet kryesore me të cilat ndeshemi me ajrin më të ndotur në nivel global. Kalimi në burime të pastra të energjisë është i domosdoshëm jo vetëm për të arritur qëllimet e energjisë dhe klimës, por edhe për të mbrojtur shëndetin e njeriut.

“Procesi i braktisjes graduale të termocentraleve me qymyr gjithashtu nënkupton sigurimin e vendeve të punës për mijëra punëtorë në industri duke përgatitur me kohë një plan për një tranzicion të drejtë dhe një strategji për ekonomi të gjelbër dhe punë të gjelbra,” thekson Jovanovski.

Sipas analizës në Raportin e Dytë dyvjeçar për ndryshime klimatike të Ministrisë së Mjedisit jetësor, nevoja më e madhe për punëtorë “të gjelbër” paraqitet ë ndërtimin e ndërtesave të reja sipas standardeve për efikasitet energjetik dhe mbindërtimit të ndërtesave të vjetra, ku deri në vitin 2035 priten më shumë se 4,000 vende pune të gjelbra, pastaj në instalimin e paneleve diellore mbi 2,200 punë, në kolektorët diellorë mbi 1.500, në centralet elektrike të erës mbi 500…

Nevoja për punëtorë “të gjelbër” që janë të kualifikuar për të punuar me teknologjitë e fundit po rritet, ndërsa sfida për kompanitë është t’i gjejnë ata në tregun e punës. Sipas prof. Ilija Nasov, Qendra për plazma teknologji “Plazma” i posedon teknologjitë më të reja për inxhinierinë sipërfaqësore ose përmirësimin e sipërfaqeve të pothuajse të të gjitha materialeve, veçanërisht për zhvillim të komponentëve për kolektorët diellorë, ndërsa kompania “Kamel Solar” prodhon kolektorë diellorë termikë dhe fotovoltaikët hibrid të fundit. Ata punësojnë punëtorë me arsim të lartë dhe të mesëm dhe të gjithë kanë nevojë për mbindërtim të njohurive dhe praktikës nga shumë fusha siç janë njohja e procesit teknologjik, menaxhimi i procesit teknologjik dhe programimi special i proceseve automatike dhe menaxhimit.

“Ajo që është më karakteristike e veçanërisht për qendrën për zhvillim dhe hulumtime ‘Plazma”, është se në vendin tonë ende nuk ka pajisje dhe teknologji të tillë, së këndejmi nuk ka edhe staf të edukuar në mënyrë adekuate. Në “Kamel Solar” ka gjithashtu nevojë për kurse shtesë dhe trajnime në fushat e termodinamikës, prodhimin dhe instalimin e sistemeve diellore, si dhe testimin e pothuajse të të gjitha karakteristikave elektrike dhe termike të kolektorëve. Jemi të vetëdijshëm që në Maqedoninë e Veriut nuk ka nevojë të mjaftueshme për profile të tilla në mënyrë që të jenë në gjendje të prodhojnë një staf të gatshëm nga të gjitha nivelet e arsimit në fakultetet ekzistuese dhe shkollat ​​e mesme në sistemin arsimor. Kjo është arsyeja pse ne investojmë shumë në edukimin shtesë të punësuarve përmes kurseve, stërvitjeve dhe trajnimeve në vend, ndërsa për stafin profesional të profilit të lartë në institucionet e huaja dhe institucionet e arsimit të lartë”, thotë Nasov.

Ai thekson se përmes Shoqatës “Solar Makedonia”, shoqatë e cila i bashkon prodhuesit e Maqedonisë, kontraktuesit, importuesit dhe tregtarët në sektorin e energjisë diellore, organizohen trajnime për punëtorë për montazh, instalues, projektues për dimensionim, projektim dhe instalim të sistemeve diellore. Në bashkëpunim me USAID, vitin e kaluar u realizua një projekt për trajnim të 30 ekspertëve tanë që u realizua nga ekspertë kulmorë në fushën e kolektorëve termik fotovoltaikë dhe diellor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button