Site icon PORTALB

Sa e kërcënon cilësinë e komunikimit komunikimi joetik i mediave në Ballkanin Perëndimor?

Albërie Xhemaili

Albërie Xhemaili

Faktet dhe argumentet shkencore flasin se komunikimi është një ndër subjektet më të rëndësishme në vetvete sepse shërben si një ndër shtyllat kryesore në shoqërinë moderne për të realizuar funksionin e informimit dhe për të ndërtuar marrëdhënie ndërnjerëzore. Komunikim do të thotë të vësh në dispozicion të, të tjerëve një informacion, një ide ose një qëndrim duke sjellur në një balancë argumentin, faktet, proporcionin e drejtë të burimeve por edhe kredibilitetin dhe objektivitetin e nevojshëm në opinion pa mos shkaktuar trazira në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Për të analizuar një çështje kaq aktuale dhe tepër delikate në një kontekst shoqeror si ai i Ballkanit Perëndimor, duhet që realisht të kthehemi pak tek definiconet e etikës që do na ndihmojnë të kuptojmë në fund pozitën e komunikimit si rezultat i medies në shoqerinë demokratike moderne. Fjala etikë origjinon nga fjala greke ethikos, që do të thotë ves apo zakon. Komunikimi etik është bazë e të menduarit të përgjegjshëm, të marrjes së vendimeve të drejta, si dhe të zhvillimit të marrëdhënieve brenda komuniteteve në kontekste, kultura, dhe media të ndryshme. Pikëpamja e Aristotelit është se: “Etika është një lloj “filozofie praktike“ – aplikim i gjykimit të duhur kur ballafaqohemi me vendime të vështira për kurset e ndryshme tëveprimit”. Por realisht sa aplikohet ky gjykim i duhur, sa raportohet, shkruhet,prononcohet e publikohet në mënyrë objektive nga mediat në një kontekst siç është ai i Ballkanit Perëndimor?

Përmes një sërë çështjesh të ndryshme, dy temat që lidhen me komunikimin janë pra etika e të shkruarit në media dhe liria e pavarësisë që ndërlidhet me parimet e të shkruajturit etik e profesional medial . Kjo temë vështirësohet edhe më teper kur shtrohet aspektin e mangësisë të zhvillimit medial të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimi i hovshëm i shoqërisë krijoi edhe impaktin e rëndësishëm të mediave dhe informimit, me çka fushëveprimi i individit por edhe i shoqërisë u bë tejet i rëndësishëm por edhe u kushtezua pikërisht nga mediat.Kur themi që u kushtëzua arrijë të argumentoj se manipulimi i argumentit shërbeu si një njësi kryesore për ata që vendosën që rrafshin e tyre profesional ta shtrojnë dhe ndërtojnë nëpërmjet manipulimit, denigirimit të figurës së tjetrit, propagandës, agjitacionit, shantazhit, por edhe ndërtimit të një kulti të rëndësishem utopik ndaj vetvetes.E kjo pozitë natyrisht ka krijuar një çthurrje të proceseve të komunikimeve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, duke shpallur kështu një lufte humane, rritje e gjuhës së urrejtjes e sidomos asaj digjitale që manifestohet nëpërmjet kërcënimeve, bullizmit e paradokseve që janë në kundershti me vetë procesin e komunikimit.

Regjioni i Ballkanit Perëndimor që është një tryezë masash të ardhura nga një jostabilitet politiko-shoqëror që vijon të përmbajë incidente dhe shkelje të lirisë së mediave, të cilat sjellin nën sulm jo vetëm të drejtën themelore drejt lirisë së shprehjes , por edhe gjendjen së demokracisë në rajon. Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e çdo qenie njerëzore. Është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dhe të përcaktuara në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike si “liria për të kërkuar, marrë dhe shpërndarë informacione dhe ide të të gjitha llojeve, pavarësisht nga kufijtë, qoftë gojarisht, me shkrim ose në shtyp, në formën e artit, ose përmes ndonjë media tjetër sipas zgjedhjes së tij. ” Disa nga të njëjtat probleme që ekzistuan një dekadë ose më parë janë ende duke ndjekur Ballkanin Perëndimor:korrupsioni, presioni politik, presioni i individëve të caktuar, subvencione të paligjshme shtetërore – shpesh në formën e reklamave shtetërore, të përforcuar nga kriza ekonomike e dobësi profesionale dhe mungesë e sigurisë për gazetarët. Kur korrupsioni shërben si shtyllë e udheheqjes së politikes, atëherë media bëhet viktimë e saj.Por në Ballkanin Perëndimor e në veçanti në kontekstin e Maqedonisë së Veriut ,aq i thellë është joprofesionalizmi -saqë media ka filluar që ti shërbejë individëve të caktuar duke i humbur edhe funksionet bazë të informimit dhe shtypit të lirë. Edhe pse kornizat ligjore janë në thelb të vendosura në të gjithë rajonin duke u stimuluar me ndihmën e ndërkombëtarëve , partite politike në vendet e Ballkanit Perëndimor po rezistojnë në mënyrë efektive zbatimnin e strategjive dhe ligjeve të miratuara që garantojnë lirinë e medies. Aktualisht konteksti i medies shtrihet në rrjete sociale dhe në prizmin e gjerë të së ashtuquajturës “Infodemia” , hapësira mediatike është bërë një rrjet i gjerë i burimeve të ndryshme të informacionit jo të filtruar duke harruar faktin më të rëndësishëm – të zhvillojmë një aftësi për të zgjedhur informacione që janë të besueshme dhe të vërteta, dhe që na ndihmojnë të kuptojmë problemet që ndikojnë në të kuptuarit e botës. Në këtë kakofoni të përmbajtjes, mediat janë bërë një burim informacioni, me një çekuiliber të rënduar me iluzione mediatike që humbin të ashtuquajturën busullë të lexuesit . Sot lexuesi është më i tronditur se kurrë, më i pafuqishëm se kurrë si qenie politike për të ndërmarur vendime mbi të ardhmen dhe pushtetin demokratik që posedon.Audienca është e aftë vetëm për të akumuluar informacione me ç`rast e rëndon dhe e vështirëson koshiencën humane. Pikërsiht lexuesi arrinë të shëndërrohet në audiencë targetuese duke u shfrytëzuar për qëllime joetike të asaj që media prononcon, dhe natyrisht duke i munguar një mekanizëm ligjor që parandalon të ashtuquajturat lajme të rrejshme në formë digjitale si një kërcënim global. Etja e disa pronarëve të platformave të komunikimit dhe mediave në Ballkanin Perëndimor për të ushqyer audiencën në mënyrë joetike natyrisht sa vjen e shtohet atëherë kur intelegjenca artificiale vizualizon atë që prodhohet me një klikim të vetëm. Nëse njerëzit dëshirojnë të dijnë se cila medie e meriton besimin dhe vëmendjen e tyre dhe cila jo ,ata duhet të bëhen gjykues të asaj që lexojnë por edhe seleksionues të mediave. Realizimi i funksionit të informimit kredibil dhe të saktë varet edhe me vetë faktin se sa audiencë i kërkon mediave të respektojnë profesionalizmin e gazetarisë duke shërbyer kështu si një rregullues dhe ndëshkues i mungesës se profesionalizmit. Sot për ti shpëtuar dezinformimit dhe duke iu ofruar kështu infromimit objektiv, është e nevojshme që të sigurohet që ai apo ajo ta kontrollojë përmbajtjen profesionale të mediave sepse është përgjegjësia e lexuesit, i cili nuk ka pothuajse asnjë ndikim mbi vetë politikën e mediave ose funksionimin e saj. Problemi qëndron tek ne duke mos ditur as si të përcaktojmë se kush është i shkolluar në media dhe kush është analfabetë , duke mos e menduar dhe analizuar asnjeherë qe dikush mund të na intrigojë aq lehtësisht si piunë për përfitime finansiare.Lexuesi informohet duke mos u mbështetur asnjëherë në besimin se nëse percaktuesit e politikes redaktuese janë analfabetë cila është pozita që duhet ofruar atyre në piramidën e prodhimit medial? Dhe mediat joprofesionale sa vijnë e shtohen, kur audienca vazhdon duke mos ditur nëse programet e shkrim-leximit mediatik janë aktualisht duke u implementuar dhe arritur deri tek profesionistët që realisht prodhojnë me të vërtetë individë të shkolluar. Në rastin e shkrimit mediatik etik të përgjithshëm,( tituj jo te ekzagjeruar,shkrime te balancuara sa u perket burimeve, citimeve, përmbajtjes, kredibilitetit të medias dhe konstruktimit të lajmit) ne e dimë saktësisht se kush është i shkolluar, kush është analfabetë dhe kush është ai që ne e quajmë funksionalisht analfabetë. Për personat e shkolluar, supozojmë se ata mund të lexojnë dhe shkruajnë, që ata janë në gjendje të kuptojnë një tekst në mënyrë kritike dhe që ata kuptojnë atë që kanë lexuar. Kjo sigurohet varet nga i gjithë sistemi arsimor( e që fatkeqësisht vendeve të Ballkanit Perëndimor u mungon) që me mekanizmat e tij të shumtë për të kontrolluar nivelin e një individi të shkrim-leximit arrijnë që të shmangin analfabetët mediatik dhe shkrimin joetik. Sigurisht, sistemet e arsimit të këqinj, shkollat ​​e këqija, mësuesit e këqinj, programet e këqija dhe studentët e pakultivuar prodhojnë një media joprofesioniste.Por sistemi i përgjithshëm ka mundësi ta korrigjojë këtë. Në rastin e prodhimit mediatik, askush nuk merr përgjegjësi për shumicën e popullatës që dezinformohet nga analfabetë të shkrimit të informacionit, madje shkrime jokredibile prodhojnë edhe individë të thjeshtë të stimuluar për arritje personale qe nuk i plotesojnë kriteret bazë të një përmbajtjeje lexuese.Por realisht kjo ambicje egocentriste e ngrirë, e humbet fillin e lexuesit duke e futur në një tunel pa dalje, ku arrinë të përfundojë duke besuar se ai tunel do ta shpiejë në dritë , dhe se ajo është alternativë që duhet ndjekur.

Në perspektivën time, analfabetë sot janë edhe pronarët e disa medieve në Ballkanin Perëndimor qoftë media online e qoftë nga ato tradicionale që pranojnë kërcenimet e personave të caktuar për ndërhyrjen në të ashtuquajturin lajm objektiv që ka qëllim të vendosë faktin para publikut. Këshillet për etikë mbi funksionimin e etik dhe të pavarur të medieve që prodhon përmbajtje dhe është pjesë e problemit nuk merr asnjë përgjegjësi. Interesimi per të ditur se si është shkruajtur një lajm, nga kush eshte shkruar , për çfarë qëllime është shkruar natyrisht që nxitë aftesitë tona për të avansuar shije leximi, por edhe ndihmon në arritjen e nivelit efikas të shkrimit sepse nëse nuk lexohet edhe nuk pëlqehet, atëherë nuk ka pse te shkruhet. Vetëm atëhere kur ne do ta kuptojmë që ne jemi vendosësit e preferencës leximore po edhe frenuesit e të ashtuquajturës “politikë konsumeriste,” që e minimizon demokracinë në Ballkanin Perëndimor , ne kemi arritur që të krijojmë një check and balance medial dhe etik,por edhe kemi vendosur bazat e shoqerise intelektuale. Atehereë edhe redaktorët, shtëpitë botuese, recensentët dhe bibliotekat publike që kujdesen për përmbajtjen e librave, do ti referoheshin etikës komunikuese e cila shmangë analfabetizmin në një zone aq fragjile si ajo e Ballkanit Perëndimor duke rritur vlerën njerëzore dhe dinjitetin nëpërmjet nxitjes së sinqeritetit, drejtësisë, përgjegjësisë, integritetit personal dhe respektit për vetveten dhe të tjerët, por mbi të gjitha detyren profesionale për të edukuar masën që edhe ajo një ditë ti prijë proceseve të shëndosha komunikative dhe të shërbejë si urë e fuqishme për stabilitetin dhe etikën e popujve në Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version