Site icon PORTALB

Ditari në karantinë

Merxhan Jakupi

Merxhan Jakupi

Ditari i sotëm. Në mëngjes, pasi bëra një banjë, duke pirë kafe hapa celularin. Pashë datën 5 prill 2020. Për një çast u zhyta në mendime. Nostalgji e thellë. U ktheva dyzet vite mbrapa. Ishte mesi i marsit 1980. Një pasdite te çajtorja e Kabashit në çarshinë e epërme isha duke pirë çaj dhe duke luajtur shah me shokun tim, kur pashë vëllaun duke më përshëndetur. Hyri në çajtore, u afrua dhe më tha se kihste sjellë një lajm. Më tregoi se postjeri kishte sjellë garancinë dhe vizën e punës për në Zvicër. Pas një jave shkova në në Beograd dhe mora vizën e punës në ambasadën zvicerane. Një javë më vonë mora trenin ekspres Shkup – Műnchen.

E diel, 5 prill 1990. Pasdite treni arriti në ‘bahnhof’- stacionin hekurudhor në qytetin e vogël San Golen. Ishte festa e Pashkëve. Dy kushërinjtë e mi kishin dalë të më prisnin. Ishte hera e parë që këmba ime shkelte në këtë shtet të begatshëm, me alpet e bukura dhe në zemër të Europës Perëndimore.

  X

I emocionuar or dhe pak i mërzitur, nxora dhe një kafe nga automati dhe dola në ballkon. Dyzet vite në mërgim, njëzetedy në vendlindje. Dyzet vitet I konsumova larg vendlindjes, në vend të huaj. Pastaj bëra tablonë dhe bilancin e tërë jetës. Numërova vitet dhe thashë me vete: edhe kjo pjesë e pakët e jetës që më ka mbetur do të kalojë në mërgim. Në fund do të kthehem si shumica e mërgimtarëve me arkivole për t’u prehur përgjithmonë në tokën që më lindi.          Mora frymë thellë e thashë me vete: Paradoks! Jetë me strese, histeri, hedonizëm. E ç’fitove, more i mjerë, o mërgimtar i gjorë?T’u kthyen si boomerang mëkatet dhe nëmët e Atdheut. E derdhe dhe e shkapërderdhe farën nëpër Europë dhe në fund kthehesh steril, i vetëm, pa pasardhës, pa trashëgimtarë, pa fëmijët, pa nipat e mbesat.

X

Sipas prognozës së metereologëve pritet që për festën e Pashkëve tërë java do të jetë me diell. Në merkatë, para hyrjes një punëtore numëronte klientët. Para kasave mbahej distanca një metër. Rendi ishte më i gjatë se ditet e tjera. Shkaku është se për festa merkatet e dyqanet nuk punojnë. Muajin e kaluar në mbrëmje në disa merkate disa artikuj mungonin. Shumë qytetarë kishin filluar të ndjenin panik dhe frikë se çfarë do të sillte armiku i panjohur korona dhe blenin në sasi të mëdha nga frika e pandemisë. Tani të gjitha merkatet janë të mbushura me artikuj. Nuk ka pritje para kasave dhe nuk ka mungesa të artikujve ushqimorë. Mjetet e informimit, mediat dhe gazetat i këshillonin qytetarët që të mos brengosen e të mos shqetësohen, por dhe nuk duhet të jenë egoistë. Në gjithë Zvicrën do të ketë si gjithmonë me bollëk artikuj ushqimorë.

X

Dalja nga karantina

Në Zvicër, si në gjithë perëndimin, festat fetare kremtohen me fanatizëm duke marrë pjesë masivisht në ceremonitë fetare nëpër kisha.  Është hera e parë që qytetarët zviceranë e kalojnë festën e Pashkëve në izolim, në karantinë, në vetmi, pa praninë e miqve dhe të afërmve, pa ngrohtësi dhe pa vizita ngushëlluese në rastet e duhura.

Nuk po i gëzojmë këto ditë të bukura pranverore me diell, nën qiellin e kristaltë, si të ishte mesi i verës. Pjesa më e madhe e qytetarëve i shijojnë rrezet e diellit, qiellin e kaltër dhe gjelbërimin e bukuritë natyrore duke dalë nëpër ballkone e në kopështe private. Në këtë kohë krize e ankthi qytetarët e kaluan festën e Pashkëve njëçikë me lotë. Edhe pas tri javësh me një regjim strikt e disiplinë rigoroze kundër pandemisë së kovid-19, akoma vazhdojnë rregullat, kufizimet e lëvizjeve. Por fatmirësisht javën e fundit depresioni, stresi e ankthi te shumica e qytetarëve ka filluar të kalojë. Koronavirusi kishte filluar ta ulte vrullin. Në fund të javës një miku im më mori në telefon dhe më tha se shumë miq e shokë kishin filluar të dalin nëpër qytet, në lulishte e parqe duke respektuar distancën dhe kriteret. M’u mbush mendja edhe mua dhe mora makinën e vendoa të dal nga karantina. Ishte ditë e ngrohtë si në mes të verës. Pasi parkova makinën, me mikun tim iu ngjitëm rrugës që të shkonim te liqeni. Duke shëtitur rreth liqenit, përball dukej qyteti i vjetër historik i Ëil-it, i cili pasqyrohej në sipërfaqen e liqenit. Historia e themelimit të Ëil-it fillon qysh në shekullin e 8-të si vendbanim gjermanik. Të parët që vunë gur-themelin e këtij qyteti ishin një familje mullixhinjsh që ndërtuan mullirin e parë në këtë vend. Por si datë themelimi si qytet njihet viti 1226 kur i dhurohet monastirit të Shën Gallen-it. Sot ka një popullsi me rreth 24 mijë banorë, nga të cilët 85.1% janë zviceranë që flasin gjermanisht, pastaj të dytët vijnë shqiptarët me rreth 5%, etj. Duke bërë shëtitje rreth liqenit shikonim godinat karakteristike 4-5 katëshe dhe kështjellën gjigande me katedralen. Nga bukuria magjepse të duket sikur jeton në Mesjetë. Pallatet me fasada klasike, muret e vjetër dhe dritaret që janë anti-tektonike dhe origjinale si në Mesjetë.

Duke kaluar rrugës kryesore të qytetit, në të djathtë është lulishtja me kolltukë, kurse në mes ka një shatërvan të vogël dhe një statujë që paraqet dy burra duke undeshur në dyluftim, të cilët duken si gladiatorë romakë ose si pelivanat në Lindje dhe në Ballkan. Nëpër kolltuqe ishin ulur pensionistë të gjeneratës së viteve 1970-të, të cilët mbanin distancën e respektonin rregullat dhe përgjithësisht dëgjoheshin duke folur shqip. Pak më larg pamë një grup të rinjsh dhe dy policë duke i gjobitur pasi këta të rinj kishin shkelur rregullat.

 “Jemi duke pritur vdekjen”

Më kujtohet se para dy-tri dekadave në këtë lulishte afër stacionit hekurudhor ditët e vikendit kishte turma njerëzish. Shumica ishin ulur nëpër kolltuqe dhe dëgjoheshin duke folur italisht. Në këtë lulishte, nën hijen e një bliri gjigand rrinin ulur pleq pensionistë shumica e të cilëve ishin italianë. Unë ndalesha shpesh dhe ulesha me miq italianë gjatë vikendit. Më kujtohet një burrë në moshtë të thyer shtatlartë, hijerëndë e me flokë të thinjura që ulej shpesh në këtë lulishte të bukur. Quhej Xhuzepe. Zoti Xhuzepe rrëfente se kishte ardhur për herë të parë në Zvicër para Luftës së Dytë Botërore kur ishte vetëm 17 vjeç. Zoti Xhuzepe më tregonte: “Tani jam në moshë të thyer dhe kam mbetur vetëm. Gruaja më ka vdekur. Një djalë e kam në Gjenevë,  I cili rrallë më viziton. Kam vizita të rralla. Shpesh dal me shokët, moshatarët e mi, për t’u çliruar sadopak nga rutina e mërzitshme, nga monotonia, jeta e zbrazët. Tani jam duke pritur vdekjen.” Duke folur me buzë më gaz më tha se “edhe ju shqiptarët, si ne italianët, pas daljes në pension, në pleqëri do ta kaloni kohën në pasivitet, në monotoninë e pleqërisë ulur në kolltuk në këtë lulishte, ose duke dalë shëtitje me nipërit e mbesat.” I trishtuar, unë iu përgjigja: “Zoti Xhuzepe, unë nuk do ta pres pensionin këtu dhe nuk do ta kaloj pleqërinë këtu.” Zoti Xhuzepe m’u drejtua me një zë të kthjellët duke ngritur vetullat e duke thithur cigaren: “Edhe unë dikur mendoja si ju, porn ë fund të fundit gjithshka mbetet iluzion e zhgënjim. Gjithnjë jetoja me shpresën se një ditë do të kthehesha në Kalabrinë time. Shumica e gjeneratës sime tërë jetën kanë investuar në vendlindje. Ndërtuan shtëpi dhe vila, por në fund i lanë shkretë, nuk i gëzuan”. I thashë Xhuzepes: “Edhe unë kam ardhur I ri këtu. Ka më shumë se dy dekada që jam larguar nga vendlindja. Të gjitha ëndërat i shoh atje poshtë, në fshatin tim.” Zoti Xhuzepe më tha se “asnjë ëndër nuk kam parë këtu qysh kur kam ardhur prej më se 60 vitesh dhe jam shkëputur nga toka mëmë, nga gjaku e fisi im. Ëndërat gjithnjë më çojnë në Kalabri. Më se 60 vite këtu nuk u integrova dot, mbeta kalabrez tipik, me identitet italian.”

“Edhe unë dhe gjenerata ime që kemi ardhur nga Ballkani e kemi shumë të vështirë për t’u integruar”, i thashë Xhuzepes. Ai shtoi: “E di. As ju nuk do të integroheni deri në vdekje; do të mbeteni shqiptarë, ballkanas, sikurse ne italianët e jugut”.

X

Pas disa vitesh, një pasdite ulur në këtë lulishte takova një mikun tim italian të quajtur Xhino. E pyeta për zotni Xhuzepen dhe ai më tha se para dy vitesh kishte vdekur. Zoti Xhino dukej i zbehtë dhe i mërzitur. Më tha se dy nipat e tij ia kishin shitur shtëpinë që kishte në Siçili. Me shumë emocione, i frustruar dhe i zhgënjyer, më rrëfeu: “Dhëndëri im, burri i motrës vdiq para 5 vitesh, kurse motra ime vdiq vitin e kaluar. .dyzet vite kanë punuar dhe gjithë eshtrat I lanë e mundin e harxhuan për të ndërtuar shtëpinë. Para dy muajve nipat e mi ia shitën shtëpinë një polici nëpërmjet internetit për 120 mijë euro.

“Këta heronj dhe shpirti tragjik”

Në ish-Jugosllavi shqiptarët kanë qenë të diskriminuar dhe të shfrytëzuar. Ata në të gjithë ish-republikat jugosllave punonin nëpër kanale dhe bënin punët më të rënda fizike. Shumë prej tyre flinin nëpër bodrume e kasolle dhe si ushqim të përditshëm në mëngjes hanin një copë bukë me djathë. Gjatë viteve 1970-1980 pati një fluks të madh emigracioni dhe shumë shqiptarë dolën të punonin nëpër shtetet e Europës perëndimore. Shqiptarët në Perëndim kishin status më të mirë se n ëish-Jugosllavi. Gjeneratat e kësaj periudhe të vuajtur, të lodhur e me shumë peripeci, mbajtën mbi shpatulla peshën më të rëndë. Duke punuar për vite me radhë në Perëndim, ata ndërtuaan shtëpi dhe vila, ndihmuan familjet duke kontribuar financiarisht. Ata i dërgonin para shtetit që nuk i deshti, kurse shteti jo vetëm që nuk i ndihmonte, por shpesh dërgonte policinë dhe inspektorët që i torturonin dhe ua merrnin pasaportat duke i akuzuar se në Perëndim kishin marrë pjesë nëpër demostrata dhe kishin bërë agjitacion e propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë. Këto gjenerata, ndonëse të mplakura, të vuajtura, të zhgënjyera dhe të frustruara, vazhdonin të vinin rregullisht në vendlindje për pushime si më parë kur ishin të rinj, të shëndetshëm e të fuqishëm. Ata ktheheshin duke menduar se do t’i takonin miqtë, shokët e të afërmit e tyre për t’u çmallur dhe do të gjenin dashuri, ngrohtësi e ngushëllime si më parë. Në fund ata vinë për pushime disa-javore dhe të sëmurë, të zhgënjyer ikin përsëri nga vendlidja, ku ata mbeten të huaj.

X

Këta janë heronj dhe shpirtra tragjikë, të cilët në fund kthehen në verndlindje si luftëtarët nga fusha e betejës, me plagë të rënda e ta pashëruara në trup, kthehen si shqiponja që fluturon e vetmuar, pa zogjtë e saj, kthehen si anija, e cila, duke u përplasur nëpër dallgët e detrave dhe oqeaneve, më në fund arrin në port e ndryshkur e me vela të grisura. Këa heronj e shpirtra tragjikë kthehen vetëm, pa fëmijët, pa nipat e stërnipat, kthehen nëpër arkivole, i kthehen tokës amë, dheut që i lindi, kthehen që të prehen përgjithmonë në jetën e amshuar.

(Dedikuar gjeneratës sime të një plejade të tërë, të cilët u shkëputën nga toka, gjaku e fisi. Këta janë heronjtë tragjikë të shpirtit tim.)

Merxhan Jakupi

Exit mobile version