Mbi heroin e regjimeve satrape

Dritëro Agolli është ndër shkrimtarët e rrallë që ka krijuar një personazh të pavdekshëm letrar, që përfaqëson kuadrin kallp të të gjitha sferave të jetës; një prototip heroi të cilin e gjejmë në jetën reale të regjimeve satrape, ku Zylo Kamberat janë shkronja e para dhe e fundit e alfabetit të jetës.

Po kush është heroi i Dritëroit që merret me probleme të mëdha shoqërore e që s’ka nge të humbë kohë me vogëlsira?

Zylua është specialist për art dhe letërsi, drejtues i sektorit të kulturës masive. Është mediokër me pushtet të pamerituar, i squllët dhe i papersonalitet, mendjemadh e megaloman i ndruajtur e lojal ndaj shefave, por autoritar dhe i rreptë ndaj vartësve të tij.

Zylua ka karakter të luhatshëm dhe mungesë krenarie. Karrierën ia ka borxh dashurisë që ka për të shoku Q, sepse sistemi i hurit e litarit nuk njeh pozita të tjera pos atyre të mbështetura në akraballëk.

Ai lavdërohet se ka botuar një artikull të rëndësishëm mbi zhvillimet kulturore të vendit, pa çka se, pa ndihmën e Demkës, nuk është i aftë të përgatisë as fjalimet edhe raportet që lexon në mbledhjet e rëndësishme. Paaftësia nuk e pengon t’i bëjë vërejtje edhe Historisë së Shqipërisë, sepse pushteti i ka dhënë të drejtën të pandehë se është njohës i më shumë fushave të dijes.

I gjendur në pozitën e drejtuesit të kulturës masive, ai betohet se do të vendosë rregull në rrëmujën e krijuar nga koha kur sektorin e drejtonte rivali i tij Shemshedini. Nganjëherë e kupton se është snob që duhet të aktrojë madhështinë e rreme; që duhet të shtirret se lexon shumë dhe gjoja nuk dëshiron të shkojë në pushime shkaku i obligimeve të shumta; të bëjë rolin e ekspertit me shije të veçantë; t’ua mbushë mendjen të tjerëve se është djali i një burri të fisëm, që, nga modestia, refuzoi të shkruajë për të Historia në kapitullin e Luftës së Vlorës, ku, në fakt, nuk kishte qenë kurrë; të krenohet si baba i një djali të vogël, që gjoja merrej me kompozime veprash gjeniale muzikore…

Mbi supet e heroit emblematik të Dritëroit rëndojnë detyra me pesha të mëdha. Ai është kuadër i lartë që zbaton urdhëra partie, duke mos u bërë asnjë lajkë. Veprat e tij janë një për një në pajtim me parimet e sistemit: folklorizimin institucional të poezisë; kërkimin e modeleve të artit mes rapsodëve dhe kooperativistëve; detyrimin e krijuesve për t’u shkrirë e bërë një me popullin në kërkim të inspirimit; përkrahjen e krijimtarisë mesatariste e mediokre – pandehjen e saj në vezuf estetik; injorimin e krijuesve risimtarë; garat kulturore në ambiente rurale dhe në fshatra të thellë malësie; ndalimin e çdo kënaqësie përveç qejfeve kolektive; ndalimin e këngëve, hiq elozhet për oborrin mbretëror…

Për nga gjithdijshmëria, Zylua është i ngjashëm me doktor Adham-utin e Çajupit. Për nga marrëzia e madhështisë me Denizullu Serpen e Konicës. Ngado që sillet, Zylua ofron atë që ka me shumicë: budallallëkun. Ai e degradon vetveten kudo që hap gojën, ama, ka dhe një të mirë, që nuk mund t’i mohohet, sepse: hënë-hënë, kthjellohet, bën autokritikë dhe e quan veten gomar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button