Kurti kërkoi të mos politizohet ndihma në teste që Serbia i bëri Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se donacioni i testeve për koronavirus nga ana e Serbisë “është gjest që nuk duhet të politizohet.

Në një konferencë për media të hënën, Kurti tha se Kosova e ka dëshmuar që nuk bën dallime midis qytetarëve sipas komunës, partisë, moshës, gjinisë, fesë apo përkatësisë etnike, njofton REL.

Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të vendosin se si t’i përdorin të gjitha testet në dispozicion të Kosovës.

“Ne nuk po bëjmë diskriminim dhe jam i bindur që nëse Kosova do të refuzonte të pranonte këto teste, do të akuzohej për sjellje joracionale dhe politizim të një gjesti i cili nuk është i tillë. Pra, nuk duhet të pranohet si politik dhe nuk duhet t’iu ndihmojmë atyre që dhuruan 1 mijë teste për qëllime politike”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të madh rajonal në luftën e përbashkët kundër pandemisë.

Opozita në Kosovë e ka kritikuar qeverinë për pranimin e kësaj ndihme nga Serbia, duke e akuzuar atë që i lejoi Serbisë një promovim të mirë në botë.

Të dielën, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedentë shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button