Site icon PORTALB

ASH reagoi për mosrespektimin e masave shëndetësore mbrëmë në kishë: Po përdoren standarde të dyfishta

Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët

Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët

Partia opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj qytetarëve dhe autoriteteve që nuk kanë respektuar masat shëndetësore në kohën e epidemisë, që me nenin 206 të Kodit Penal janë të dënueshme, transmeton Portalb.mk.

“Kuptojmë dëshirën e gjithsecilit që të ushtrojë fenë ashtu siç vetë dëshiron, por kur bëhet fjalë për shëndet publik na takon të gjithëve që të sakrifikojmë nga dëshirat tona për hir të të mirës së përgjithshme. Mbrëmë qindra krishterë ortodoks janë mbledhur në Kishën Bigorski, me rastin e festës së Pashkëve, duke mos e respektuar orën policore, rekomandimet dhe masat për parandalimin e virusit”, reagojnë nga ASH-ja

Ata sqarojnë se ky është një skandal, pasi qytetarët përveç se nuk kanë respektuar orën policore, ata nuk kanë respektuar as distancën mes tyre.

“Është e papranueshme për ne si subjekt politik, që edhe në këto momente të përdoren standarde të dyfishta nga pushteti,  kur para ca ditëve policia kishte ftuar në bisedë informative dhjetëra banor të lagjes Hasanbeg të cilët kishin protestuar gjatë orës policore dhe të njëjtët rrezikohen me padi penale , ndërsa mbrëmë ka lejuar, ose nuk ka parandaluar të mblidhen qindra besimtar ortodoks në ceremoninë që mbahet me rastin e Pashkëve”, vlerësojnë nga Aleanca.

ASH-ja fillimisht i uroji qytetarët e besimit ortodoks për festën e Pashkëve.

“Me rastin e festës së Pashkëve urojmë çdo besimtar ortodoks që sot feston me shpresë që paqja dhe shëndeti të jenë prezent në çdo familje’, urojnë nga ASH-ja.

Exit mobile version