DREJT RURALIZIMIT: BERK, DRNOVŠEK

Ditë pranvere me diell. Një shok imi, shkupjan dyzetvjeçar, pronar i katër restoranteve, i përveshur si “bujk i vjetër”, i motivuar tepër, me mini-traktorin e vet lëvron arën e trashëguar në një zonë rurale. Në një tjetër katund, tre vëllezër me plot dashuri po e meremetojnë shtëpinë në maje të malit që e kanë lënë para 20 vitesh për t’iu afruar shehrit. Një i afërm tjetër, vetëngujohet në Bllacë. Fshatrat dhe malet vlojnë nga njerëzit këtyre ditëve. Ndërkohë, një nga miqtë e rrjeteve sociale para do ditëve na kishte etiketuar me një sekuencë nga përkthimi ynë i veprës së I. Berkut, Përmbledhje poezish (2016), ku kishte kapur një element që ndërlidhej me kontekstin tonë të këtyre ditëve, shtëpinë e kopshtin; me ngujimin, izolimin apo karantinën, me një kohë kur i shtohen pikët shtëpisë karshi banesës (apartamentit), fshatit përballë qytetit, periferisë përkundër qendrës. Hamdiu kishte fotografuar një pjesë të cilës po ia shtoj pararendësen (me disa shkurtime):

 

Shtëpia, ‘qenie vertikale’.

Në shtëpi hyhet përmes kopshtit.

Por ama kopshti s’e njeh shtëpinë.

(Ndoshta edhe shtëpia kopshtin.)

Ç’bukuri!

 

Bota e gjërave është e këtillë.

Kënaqet me shijen e të panjohurës.

Kopshti nga e para ka zgjedhur lirinë.

 

Kur e kalojmë kopshtin e shohim shtëpinë.

Nëse e krahasojmë kopshtin me shtëpinë, do të konstatojmë se shtëpia përvijon një grafikë të mbylljes, të fanatizmit (shtëpia është diktatore, është e plagosur nga diktatura), kurse kopshti është shumë i hapur.

E urren fshehtësinë.

Kopshti është plot zë.

Fytyra i del në rrugë.

  Përshëndetje kopshteve.

Berku theksonte bukuritë e „shtëpisë me kopsht“, në veçanti të bahçes, të cilën e sheh si simbol të lirisë, kurse vatrën vetëm si shtëpi e cilëson si diktatore. Ai në mënyrë të tërthortë e afirmon fshatin që si kategori sociale një kohë të gjatë, është out, është lënë në plan të dytë nga qyteti që u afirmua tepër nga procesi i industrializmit dhe urbanizimit, si proces që sjell shtimin e numrit të qyteteve dhe rritjen e tyre, organizmin në përpjesëtim me strukturën shoqërore, që krijon ndarjen e punës dhe profesionalizimin, ndryshimet përkatëse në sjelljet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, rritjen e numrit të qyteteve dhe të sasisë së popullatës që jeton në to.

Shikuar sociologjikisht, qe dy shekuj, popullata e qytetit nga njëra anë është rritur prej lindjeve më të mëdha se vdekjet, dhe nga ana tjetër prej të shpërngulurve që vinin nga fshatrat e vendoseshin nëpër qytete. Te ne ky proces në veçanti erdhi në shprehje në vitet 50-60 të komunizmit, kur u ndje nevojë e madhe për punëtorë krahu, kështu që fshatrat u tkurrën shumë, si dhe bumi i dytë, pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas çlirimit të Kosovës, kur Tirana dhe Prishtina u frynë sa s’bën, me disa qindra mijë banorë më tepër se sa mund t’i bartë realisht infrastruktura. Këto dy qytete u metropolizuan me një hop migrues dhe demografik të pakontrolluar, që sjell pasoja rëndë të menaxhueshme. I ngjashëm është edhe rasti i Shkupit ku thuajse u shpërngul „Maqedonia Lindore“. Po rasti „Çair“, një karrakatinë, një slum, një zonë e mbipopulluar, ku s’merret frymë, ku mungojnë kushtet elementare për një jetë qytetare të dinjitetshme?

Urbanizimi shenjon rritjen, ngjeshjen, dallimin, integrimin dhe ndryshimin pas formimit të qytetit modern. Procesi i urbanizimit, nga njëra anë, i ka shkëputur njerëzit prej njësive shoqërore tradicionale relativisht të sigurta dhe i ka hedhur në mes të të panjohurave marramendëse, nga ana tjetër e ka përshpejtuar dinamizmin shoqëror, politik dhe ekonomik. Si mjedis më i përshtatshëm për dinamizmin social dhe për marrëdhëniet ideore sesa fshatrat, qytetet kanë përgatitur bazën e shkëputjes së lidhjeve tradicionale, ndryshimin e filozofisë së vlerave dhe përftimin e mendimeve dhe mënyrave të reja të jetesës (Ulmann, 1965: 163).

Industrializimi dhe urbanizimi i kanë shkrirë kufizimet në pasionet e njerëzve. Përderisa shoqëria tradicionale përmes fesë, njerëzit me mjaft sukses i mësonte t’i kontrollojnë dëshirat dhe qëllimet e veta, shoqëria moderne industriale i ka veçuar njerëzit, ua ka dobësuar lidhjet sociale. Ndërsa më parë qëllimet e njerëzve ishin të kufizuara nga rendi social dhe moraliteti, tani ato janë të pakufishme. Pjesëtarët e shoqërisë perëndimore sot ndoshta më shumë se kurrë më parë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të anomisë, sepse pjesëtarët e saj ndjekin qëllimet e paarritshme, që do të thotë ta dënosh veten me gjendje përjetësisht jo të lumtur. (Durkheim, 2004: 16-17)

Por, kohëve të fundit po shënohet një proces në drejtimin e kundërt, i quajtur deurbanizim ose ruralizim, që nënkupton shpërnguljen e popullatës qytetare nëpër troje fshatare, nëpër provinca, larg qendrave të qytetit, larg megalopoliseve. Si shkaqe kryesore janë ngirja e njerëzve me jetën ultra-dinamike, të zhurmshme dhe stresuese, urbane, metropolitane, nevoja për qetësi dhe heshtje, për më tepër hapësirë, për kushte më të mira të mjedisit jetësor (natyra, ajri i pastër). Ky proces së pari ka nisur në vendet shumë të zhvilluara si ShBA, Britania, Japonia, Franca, Gjermania, dhe më pas është reflektuar edhe në vende të tjera, përfshirë edhe vendin tonë, ku bjeshkataria, blerja dhe ndërtimi uikend shtëpizave, riparimi i „rrënojave“ janë bërë trend kohor.

I kësaj fryme ishte edhe veprimi i ish-kryeministrit dhe presidentit slloven, Janez Dërnovshek (1950-2008), në pjesën e fundit të jetës, i cili braktisi Lubjanën dhe u kthye në shtëpinë e vet në fshatin Zapllane afër Vërhnikës, ku jetoi jetë të shëndetshme, duke ruajtur pula, madje duke nxënë bukë me duart e veta. Ai atëbotë e pati ndryshuar mënyrën e jetesës, kursin politik. „Kam ndryshuar stilin politik. Nuk taktizoj, e them atë që mendoj se është e vërtetë. S’çaj kokën për funksione, dhe ashtu sillem. Nuk bëhem nevrik lidhur me atë që shkruhet apo thuhet për mua. Merrem me aktivitete pozitive për Slloveninë dhe njerëzimin. Jam i qetë dhe s’i frikohem asgjëje. S’jam më egoist as ambicioz. Rezultatet janë të dukshme.“ – ishte shprehur ai për „Nacional“ (2006), ndërkohë që i qe kthyer edhe mistikës. Në fillim të atij viti pati botuar një tekst profetik për fatin e njerëzimit – që sipas tij – e pret një kataklizëm përmes së cilës lloji njerëzor do të pastrohet:

„Njerëzimin e presin katastrofa dhe vuajtje të shumta që do të veprojnë si katharsis… Do të ndryshojë vetëdija e njerëzve, bota do të ndryshojë. Një skenar i tillë i tmerrshëm është i mundshëm, kurse materializmi konsumerist nuk është i gatshëm për të. Nëse çdokush kujdeset vetëm për veten duke mos rrezikuar për të tjerët, në fund nuk do të ketë kush të na ndihmojë.“ Në veprën Mendime rreth jetës dhe vetëdijësimit (2006) ai thotë fjalë plot urtësi, jotipike për një politikan: „Të jetojmë thjeshtë. Të jemi të plotë. Të ndërgjegjshëm.“

Prirjen proruraliste e ndjek edhe Bashkimi Europian përmes projekteve, siç është „Horizon 2020“, që synojnë shtytjen e rigjenerimit rural, politikbëries pro-agrikulturale, turizmin rural etj. Fenomeni trishtues pandemik Covid-19 e ka nxitur edhe më fuqishëm simpatinë ndaj fshatit. Trevat e lëna pasdore po rigjallërohen. Çdo metër katror i livadhit dhe megjës bëhet i vlefshëm. Madje në rrjetet sociale shfaqen postime si: „Nuk i ndërroj 15m² bahçe të katundit për 150 m² banesë të qytetit.” Qyteti ka gjithçka, por katundi ka jetë. Dikush do të kshte thënë: “Lëvdoje katundin, por jeto në qytet!” Dilema vazhdon! E Dërnovsheku, ia paska qëlluar në profecinë e vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button