Qetësi në qytetin e Tetovës. Vetëm qen dhe donjë veturë e cila ka leje për lëvizje. Virusi korona ka mbyllur banorët nëpër shtëpitë e tyre, njofton Portalb.mk.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, për here të parë përjetojnë një kufizim të tërësishëm të lëvizjes, e cila ka filluar sot në orën 16:00, ndërsa do të zgjasë deri në orën 05 të ditës së hënë.
Për herë të parë, qytetarët nuk do të kenë mundësi që të dalin për 61 orë nga shtëpitë e tyre.
Vendimi për një karantinë të tillë u miratua para disa ditëve nga Qeveria, e cila vendosi që të ashpërsoj masat kundër përhapjes së mëtejmë të virusit korona në Maqedoninë e Veriut.
Sipas vendimit të Qeverisë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ora policore gjatë ditëve të punës fillon nga ora 16:00 – 5:00, ndërsa gjatë fundjavave qytetarët janë plotësisht të ndaluar të lëvizin.
Nga ndalesa janë përjashtuar policia, armata, punonjësit e shëndetësisë, dhe po ashtu nuk vlen për maketet dhe restorantet që janë furnizues të produkteve. Farmacitë do të funksionojnë pa ndalesa.