Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut zhvilloi bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke theksuar forcat e përbashkëta për të menaxhuar pandeminë nga virusi korona, transmeton Portalb.mk.
“Në bisedën telefonike, presidenti Pendarovski e ka falënderuar sekretarin e përgjithshëm për pritjen e ngrohtë dhe të sinqertë të RMV-së në NATO”, njoftojnë nga kabineti i presidentit.
Pendarovski kishte vlerësuar se anëtarësimi i vendit në NATO do të thotë motiv për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe kontribut në stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e gjeneratave.
“Presidenti Pendarovski e informoi Stoltenbergun për gjendjen me parandalimin dhe trajtimin e pasojave nga pandemia në Maqedoninë e Veriut dhe aktivitetet e marra nga institucionet përgjegjëse”, njoftojnë nga presidenca.
Ata theksojnë se në bisedë u diskutua edhe për aktivitetet që i ka marrë NATO në këtë gjendje të krizës shëndetësore
“Bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur nga fakti që NATO dha mbështetje te vendet-anëtare në logjistikë dhe transport të pajisjeve mjekësore, që është e patjetërsueshme te vendet anëtare”, njoftojnë nga presidenca.
Bashkëbiseduesit premtuan se do të vazhdojnë bashkëbisedimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse për shkëmbim të informatave në menaxhimin e pandemisë, duke organizuar edhe fushatë kundër shpërndarjes së lajmeve të rrejshme.