Shqipëria ka regjistruar edhe 28 raste të reja me virusin korona gjatë 24 orëve të fundit, mes tyre dhe një fëmijë, ndërkohë mosha mesatare e rasteve pozitive është 50 vjeç, njofton Top Channel, transmeton Portalb.mk.
“Deri në këto momente janë testuar 2396 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 361 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç. Ju informojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme afër mesnatës se një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. E moshuara ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital. 80-vjeçarja u izolua si e dyshuar me COVID dhe i janë bërë të gjitha ekzaminimet e duhura. E moshuara ishte vendosur menjëherë në terapi intensive. Në mbrëmje ka dalë përgjigjia e analizave, pozitive me COVID-19. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore transporti ka qenë i pamundur dhe afër mesnatës e moshuara ka ndërruar jetë”, ka thënë Dr. Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit 5 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 104. Momentalisht, numri i të prekurve nga COVID – 19 është 361 persona.