Site icon PORTALB

FALËMNDERIT, CORONË!

Syrija Etemi

Syrja Etemi

Dhe, ja vjen një ditë e, ndoshta pa dëshirën tënde të mbyllesh në guaskën e intimitetit që mund të të duket bile edhe tronditëse. Ti, e ndërpret rutinën monotone të përditshmërisë tënde, që të është shndërruar në refleks të pakontrolluar, e modifikon dhe i nënshtrohesh një rregulli të imponueshëm që, ndoshta, për shumëkë  duket disi torturuese. Nuk dua të them këtu se nuk ka përjashtime nga ky lloj përjetimi që, së paku, unë e ndjej dhe e akceptoj, por përjashtimet nuk i prishin rregullat. Kjo ndryshe mund të lexohet edhe si një dalldi pas veprimeve të turmës. Jo, unë po tentoj të veproj ndryshe nga tufa. E, në këtë tufë, shpesh kam tentuar të jem Unë kundruall Ne. Kështu do të thoshte Osho, “Në momentin kur Ti nuk do të kesh frikë nga turma, atëherë ti nuk do të jesh më një dele, por do të shndërrohesh në një luan”. E, ku ka më mirë sesa në këtë situatë që na krijoi Corona , turma të detyrohet të parcializohet dhe, numrat apo individët e saj,  të kthehen secili te vetvetja? T’i kthehemi dashurisë pa maskë, t’i kthehemi gjirit të ngrohtë familjar, t’i kthehemi natyrës-nënë: për të shijuar rrezen e ngrohtë të diellit; të kujdesemi më mirë për lulet, për parkun, gjelbërimin; t’i kundërpërgjigjemi me punë të hajrit kësaj kohe të vakët të karantinimit apo izolimit. Pavarësisht shpekulimeve që vlojnë në këta dreq rrjete sociale, ku çdo individ brenda vathës së tufës tenton ta “promovojë” veten, unë kam “pensionuar” celularin tim, për të kuptuar se sa shumë kohë paskemi harxhuar për hiçgjë, për punë të kota, si bie fjala: Rita Ora a ka të dashur shqiptar apo jo; Shoqja e Medës a ka mbetur shtatzënë apo sa muajsh e ka foshnjën; Telenovela turke: “Jepma dorën” ka edhe 55 apo 110 epizoda…

E, ja, erdhi një moment kur shumë veprime e sjellje tona t’i shikojmë me një sy pak më përqasës, më depërtues e penetrues. Por, paraprakisht – të veçohemi, të izolohemi e të meditojmë në vetvete. Të futemi madje edhe në brendinë tonë, në tempullin tonë të shenjtë, që shumë pak e njohim. Po, po, nuk e njohim vetveten. E, më thuani se kush nuk e njeh vetveten, si do të njohë të tjerët? O, njeri, kthehiu vetvetes, aty do të gjesh burimin e energjisë, qoftë pozitive, qoftë negative. E, ti kur do të arrish të njohësh në brendinë tënde, këto jone çfarëdo qofshin, do t’i gruposh në dy vende, në një anë viruset, e në tjetrën anë antiviruset. Të parët do t’i neutralizosh, kurse këto të dytët në formë vaksine do t’i shpërndash tek të tjerët. Po, po, Ti në këtë rast ndan shapin nga sheqeri. Ti në këtë rast do rrezatosh kudo përreth teje këtë dritë që e akordon me energjinë e kosmosit. Prandaj, me këtë rast do t’i referohem një ëndrre që pash para një nate. (Ore, më duket se edhe ëndrrat më janë bërë më të ngrohta, më kuptimplote e më të paqta?). Falëmnderit, Coronë!

Ja përmbajtja e ëndrrës:

“Udhëtoja në këmbë në një planet të panjohur. Ec e ec; ec e ec, kur “tak” shoh një plakë të gërmuqur që po vinte në anën e kundërt të rrugës që përpija. Kur u takuam, e njoha se është Nënë Tereza. E para ajo më pyeti:

– Ku je nisur kështu e vetmuar, biri im i dashur?

-Jam nisur të gjej të Mirën në Planet, Nënë – iu përgjigja.

– E, ke arritur ta gjesh, bir?

-Jo, jo, ende jo, Nënë Shenjtore! – i thash.

Ndoshta edhe nuk do të arrish të të buzëqesh fati, biri im i nderuar! Prandaj, kthehu në shtëpi andej ka ke ardhur, edhe nëse nuk e gjen dot të Mirën, bëru ti vet i Mirë. E kur ti këtë  Mirësi do ta shpërndash përreth teje dhe kur edhe të tjerët të kenë marrë e përthithur nga kjo Mirësi, ajo do të shpërndahet, do reflektojë, mbërthejë dhe do të sundojë  mbarë Globin.”

Dhe kështu bëra. Kështu bëj edhe Ti – le të bëjë edhe Ai…!; Kur do të reflektojmë kështu të gjithë Ne, Ju , Ata apo Ato, bota do të jetë krejt më ndryshe. Do të frymojë më lirshëm…

Exit mobile version