Holanda do t’i sigurojë Maqedonisë së Veriut teste për koronavirusin bazuar në teknologjinë bërthamore të zhvilluar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (ANEA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Testet duhet të arrijnë në vend brenda disa ditëve.
Testet janë të bazuara në teknikën e njohur si Real Time – PCR, teknika më senzitive për detektimin e viruseve të njohura.
ANEA ka përvojë të gjerë në transferin e njohurive dhe materialeve. Teknologjia e përdorur për testet është zhvilluar fillimisht për sektorin veterinar së bashku me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi (OUB) dhe pastaj është zhvilluar më tej dhe përdorur për të luftuar përhapjen e viruseve ZIKA dhe Ebola.
“Ndalimi i pandemisë së koronavirusit është në interesin e ndërsjellë të njerëzimit. Ka nevojë të punojmë së bashku në nivel global që ta mbajmë nën kontrollë”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok.
Ndihma e përgjithshme e Holandës për materialet testuese të ANEA’s të cilat do të distribuohen në Maqedoninë e Veriut, Ukrainë dhe Maroko është 500.000 euro.