Tirana në shtetrrethim, 135 mije aplikime për të marrë leje lëvizjeje

Kryeqytetasit vërshuan mëngjesin e së hënës në të gjitha rrugët dhe tregjet duke mos respektuar distancën sociale dhe duke qarkulluar në grupe. Të gjitha këshillat u injoruan ndërkohë policia vijoi të ndëshkojë drejtuesit e automjeteve që qarkullonin pa autorizim të veçantë, transmeton OraNews.

Në drejtorinë e Përgjithshme të policisë vijuan radhët për tu pajisur me leje lëvizjeje. Numri në total ka arritur në 135 mijë aplikime.

Ja kush lejohet te qarkulloje

Me fashën e re të orarit të lëvizjes 05.00 me 13.00 që do të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave,Policia e Shtetit njofton se lejohen të qarkullojnë me automjete për të shkuar në punë duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjithë punonjësit e administratës dhe biznesit në oraret 05:00 deri në orën 08:00 dhe për kthim nga ora 12:00 deri në orën 13:00.

Përjashtohen nga ky kufizim të gjitha automjetet e transportit të mallrave, produkteve ushqimore, fruta-perimeve dhe atyre blegtorale, me qëllim furnizimin e marketeve dhe minimarketeve dhe dyqaneve ushqimore.

Nuk lejohet asnjë qytetar që të lëvizë me automjet pa plotësuar formularin e vetdeklarimit dhe pa marrë konfirmim për lëvizje.

Pas orës 13:00 nuk lejohet të lëvizë asnjë qytetar, përjashtuar kthimin për në banesë të punonjësve të linjave prodhuese, të Shëndetësisë, Ushtrisë, Policisë së Burgjeve, SHPSF, të atyre personave që janë të përfshirë në listat e shërbimeve të bashkive dhe shërbimeve në banesë.

Pas orës 13:00 nuk lejohet të jenë hapur asnjë market, minimarket, apo farmaci.

Përjashtohen nga ky kufizim vetëm linjat e prodhimit të bukës, ushqimoreve, prodhimit të mishit dhe atyre blegtorale vetëm për të prodhuar, por JO për të tregtuar.

Nuk lejohet lëvizja e këmbësorëve për shëtitje, sport e çdo aktivitet që nuk ka lidhje me furnizimin me produkte për konsum.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button