Site icon PORTALB

Arabia Saudite do të pezullojë fluturimet ndërkombëtare

Aeroplanët e llojit, 737 Max, të prodhuar nga Boeing. Foto: Reuters

Aeroplanët e llojit, 737 Max, të prodhuar nga Boeing. Foto: Reuters

Arabia Saudite njoftoi sot se do të pezullojë për dy javë të gjitha fluturimet ndërkombëtare, teksa shtetet në mbarë Gjirin Persik kanë ashpërsuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, transmeton REL.

Pezullimi i fluturimeve ndërkombëtare do të hyjë në fuqi mëngjesin e së dielës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve, SPA, duke cituar një zyrtar brenda Ministrisë së Brendshme.

Ky njoftim nga Arabia Saudite vjen dy ditë pasi ky shtet ndërmori ndalesa të udhëtimit, me qëllim që të luftohet koronavirusi i ri, i cili nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është shpallur pandemi.

Më herët gjatë javës, Arabia Saudite ndaloi udhëtimet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe Zvicra. Po ashtu, ndalesa për udhëtime janë bërë edhe ndaj disa shteteve në Azi dhe Afrikë.

Ndër masat tjera që ka marrë Arabia Saudite është edhe anulimi i të gjitha aktiviteteve sportive, por edhe aktivitetet fetare, përfshirë pelegrinazhin e besimtarëve myslimanë në qytetin e shenjtë të Mekës.

Exit mobile version