Site icon PORTALB

MPJ e RMV-së: Mos udhëtoni në asnjë vend të Italisë

Ministria e Punëve të Jashtme, RMV

Duke e pasur parasysh rritjen rapide të ngjarjeve me koronavirusin në Itali, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u rekomandon qytetarëve të mos udhëtojë në tërë territorin e Italisë, njofton Portalb.mk.

“Për ata qytetarë të cilët tanimë gjenden në Itali, u rekomandojmë rritje të masave të kujdesit në çdo kohë dhe t’i ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve lokale”, thonë nga MPJ.

Ata shtojnë se Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Venedik, duke e ndjekur praktikën e vendeve tjera evropiane, por edhe për shkak të parandalimit nga shpërndarja e koronavirusit, në periudhën në vazhdim nuk do të punojë për palët, përveç në raste urgjente dhe situata të paanulueshme.

Për informata më të detajuara, rreth zhvillimit të ngjarjeve, qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët ndodhen në Itali, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit + 39 389 5837913 ose e-mailin venice@mfa.gov.mk.

Informata zyrtare mund të merrni në: travel.mfa.gov.mk.

Nga ana tjetër, kompania Wizzair prej sot deri më 3 prill i ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Italisë.

Përndryshe Italia është zona më e prekur në Evropë nga Koronavirusi, sipas informatave të deritanishme atje ka gjithsej 9.172 persona të infektuar, ndërkaq 463 të tjerë kanë humbur jetën.

Exit mobile version