Site icon PORTALB

 (BUZË)HUMNERA E NJERËZIMIT

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Lutem që Zoti ta drejtojë këtë varkë si duhet
kur bregu të na zhduket nga sytë
dhe ne të jemi në detin e  tallaztë
veç një insekt i vogël, që tundet e shkundet
e gëlltitet …
Sepse ti je një ngarkesë e çmuar, Mervan,
më e çmuara që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë.

Kjo poezi është shkëputje nga libri ynë i fundit i huazuar nga biblioteka universitare, i lexuar para më se dy muajsh. Lutje detit nga amerikano-afganistanezi Khaled Hosseini, autor i romanit të stërshitur Gjuetari i balonave, një prej penave më të lexuara (55 milionë kopje) dhe më të dashura në mbarë botën, ambasador i vullnetit të mirë në UNHCR, Agjencinë e OKB-së për Refugjatët. Lutje detit është frymëzuar nga historia e Ajlan Kurdit, trevjeçarit sirian që u mbyt në vitin 2015 në detin Mesdhe teksa përpiqej të mbërrinte në vendin e sigurisë, në Europë. Është një vepër kushtuar mijëra refugjatëve që kanë humbur jetën në det (vetëm në vitin 2016, 4176 veta), duke tentuar t’i iknin luftës dhe krimit shtetëror të udhëhequr nga një gjakpirës që në mënyrë pasive ndihmohet nga politika ndërkombëtare.

Dhe ja, këtyre ditëve në ballina  sërish çështja e Luftës së pafundme siriane dhe e refugjatëve të cilëve Turqia pas “rastit Idlib” ua hapi kufijtë për të tranzituar në vendet europiane. Siç dihet, viteve të fundit, refugjatët dhe azilkërkimi kanë arritur shifra marramendëse, gjithnjë në rritje sipas raportit të migrimit të Kombeve të Bashkuara: në vitin 2000 janë  regjistruar 220 milionë njerëz me status emigranti apo refugjati, në vitin 2017, 258 milionë. Sipas këtij dokumenti njerëzit shpërngulen, braktisin vendlindjen për të gjeur punë më të mirë, për t’iu shpëtuar presioneve politike, për t’iu shmangur rrethinës së luftës etj. Në anën tjetër, teknologjitë e reja globale, mundësitë e transportit dhe ndërveprimet e lehtësojnë këtë lloj të mobilitetit social. Migrimi, azili dhe refugjatët janë realiteti i botës së shekullit tonë. Nëse iu adresohemi fakteve sasiore, konstatohet se pjesa më e madhe vijnë nga vendet e pazhvilluara, nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, dhe në veçanti nga Lindja e Mesme.

Një pjesë e mirë e ikanakëve, që po trondisin botën me pamjet rrëqethëse, vjen nga “shoqëria islame e plagosur për vdekje” (Hodgson, 1993). Sipas TÜİK, nga ikanakët që frekuentonin Turqinë në vitin 2014, 33.4 kanë qenë afganë, 24.1 % sirianë, 13.9 % pakistanezë. Nga 22 milionë e Sirisë, sot 10 milionë janë shndërruar në refugjatë. Dhe së fundi, rreth një milionë njerëz janë gati për të kaluar në Turqi, e cila me vendimin e fundit, krijoi një moment tjetër në skenën ndërkombëtare. Atë të një shteti që i ka ushqyer me vite rreth katër milionë refugjatë, dhe të një tjetri, Greqia, me të kaluar të famshme, djepi i qytetërimit perëndimor, simbolika e kulturës antike, e filozofisë, estetikës, etikës, Platonit, Aristotelit, e Protagorës që i tha fjalët domethënëse “Njeriu është kriter i gjithçkafit.” Dhe kuadratet tronditëse, ushtarë robokopë, makina të blinduara dhe njerëz të mjerë, të hutuar, që tentojnë të kalojnë kufirin me tela gjembaçë, gra, fëmijë e të rinj. Bomba gazi, lotsjellës, krisje, dy të vrarë nga të pafatët, nga fatzinjtë. Tentimi i ushtarëve për të batisur me anije e me shkopinj gomonën e mbushur me refugjatë, burra, gra që tentojnë të kalojnë lumin me fëmijët në krahë. Një pamje trishtuese që flet për pacipësinë e njeriut të kohës sonë, të cilit thuajse i kanë ikur të gjitha vlerat, të gjitha ndjenjat e humanitetit. S’mund t’u besosh syve të tu. Si ka mundësi? Të rinj të rrahur kafshërisht, të zhveshur, të lënë vetëm në mbathje, e të kthyer prapë, të dërrmuar shpirtërisht, të vjedhur xhepërisht. Cullak në dimrin kalendarik, në shi, që në hallkë ngrohen përreth zjarrit. Sekuenca të ngjashme si ato të nazi kampeve, si ato të Bosnjës 1992-1995.

Nga njëra anë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen falënderon Greqinë që është shndërruar në aspida (mburojë) europiane dhe kryeministri grek Kyriakos Micotakis që pohoi se “Europa nuk mund të shantazhohet nga Turqia përmes refugjatëve.” Në anën tjetër UNHCR, me qëndrimin se s’ka baza ligjore për të suspenduar vendimet për azil të OKB-së të vitit 1951 dh ato të së drejtës së BE-së: “Personat që hyjnë në mënyrë të parregullt në territorin e një shtetit nuk duhet të ndëshkohen nëse, pa vonim, paraqiten te autoritetet për të kërkuar azil.” Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin shpall se “duhet të jetësohen detyrimet ligjore ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me ata që mund të kenë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”. “Ill-prepared EU” (BE e papërgatitur) ka dhënë cilësimin Associated Press (Cook, 2020) Përderisa Perëndimi e orientalizon çështjen, e quan “produkt të një kulture të pazhvilluar, një botë despotike e të paqytetëruar”, Turqia ia hedh fajin imperializmit, e oksidentalizon problemin, akuzon politikat imperialiste, mosndërhyrjen e fuqive të mëdha ndaj regjimeve që prodhojnë dhunë, që aplikojnë plaçkitje ekonomike të pronës publike, që e pengojnë pjesëmarrjen politike, që prodhojnë padrejtësi sociale, që i shkelin të gjitha të drejta e njeriut, që kanë monopol në shtetet e dështuara arabe. Dhe arsyetimi më ironik i një “analisti të gjithëditur” të kafeneve tona: “Refugjatët shkojnë te prona e tyre, i thërret ajo. Gjërat e përvetësuara nga kolonizuesit i thirrin, i tërheqin pronarët e dikurshëm.”

Se bota dhe ndërgjegjja megjithatë s’kanë vdekur provojnë protestat e mijëra antifashistëve grekë në Athinë dhe Selanik në mbrojtje të refugjatëve, kundër sulmeve të përjetuara nga masat ksenofobe në ishujt Lesbos dhe Chios, përmes slloganin “Ne, së bashku, mund të luftojmë kundër eksploatimit, luftës, nacionalizmit dhe racizmit” dhe #refugeeswelcome (Refugjatët janë të mirëseardhur!). Rast tjetër domethënës ishte ai i defilimit të paradoditshëmnë Berlin ku mes tjerash u kërkua ngë BE që të hapte portat dhe të shpëtonte jetë (Open borders. Save lives!), të ndalej lufta, jo njerëzit (Stop war, not people!), ku u shpalosën pllakate të tipit “Askush s’është ilegal!”  etj.

Ndërkohë siriani në brigjet e detit grek vazhdon të këndojë këngën elegjike “O det na jep dashuri”:

 O det na jep dashuri
Shiko se ç’po na ndodh
Mos i hidh dallgët e tua drejt nesh
Jemi sirianë, të betohemi

historia jonë është e trishtuar
Ah, nuk do ta besosh, por lotët tanë edhe ty mund të të mbysin
Kaq shumë ne kemi qarë

Ne i pranuam të gjithë me dashuri e respekt
Por kur u rrëzuam, na tradhëtuan
Askush nuk qau për ne
Ah, sot gjithë bota na braktisi
Ah, o det, ndali dallgët
Në varka ka fëmije, fryma jonë, jeta jonë është në keto varka
Të betohem, lotët tanë mund t’i përmbytin gjithë detet e botës
Fëmijët tanë humbën fëmijërinë në dallgët e tua, që i vranë fëmijët tanë
Ah, o det, dallgëve të tua le t’u vijë keq e të kujdesen për ne si nënë
Ah, për ne sirianët, fati është i rëndë
Na lini të jetojmë në paqe, vetëm kaq kërkojmë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version