Site icon PORTALB

Putin dhe Erdogan arritën marrëveshje për armëpushim në Idlib

Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan

Turqia dhe Rusia thanë se janë pajtuar për armëpushim në provincën Idlib të Sirisë, transmeton REL.

Marrëveshja u shpall të enjten, pas bisedimeve 6-orëshe midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, në Moskë.

Dy palët thanë se marrëveshja përfshin armëpushimin që duhet të nisë nga mesnata e së enjtes përgjatë linjave ekzistuese të betejës.

Marrëveshja gjithashtu parashikon krijimin e një korridori të sigurt përgjatë autostradës M4.

Korridori do të patrullohet nga trupat ruse dhe turke, duke filluar nga 15 marsi.

Takimi në Moskë u zhvillua në kohën e tensioneve të larta në Idlib – bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët anti-qeveritarë në Siri.

Javë më parë, Turqia, e cila i mbështet rebelët, ka nisur një ofensivë atje kundër forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilat mbështeten nga Rusia.

Më 27 shkurt, Ankaraja ka raportuar për vrasjen e 34 ushtarëve turq në një sulm ajror të kryer, sipas saj, nga forcat siriane.

Kjo ka çuar në hakmarrje dhe, më 1 mars, Turqia ka vrarë 19 ushtarë sirianë.

Turqia dhe Rusia, deri më tash, e kanë shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, por incidentet e fundit kanë bërë që shumë vëzhgues të shprehin shqetësim se Turqia – anëtare e NATO-s – dhe Rusia mund të përfshihen në një konflikt të armatosur.

Exit mobile version